AKTUALITET, 4 Korrik 2026, 13:42

Kushtetuesja rrëzon Veliajn, nuk kalon padinë e kryebashkiakut për gjykimin ndaj dosjes së SPAK

Kushtetuesja rrëzon Veliajn, nuk kalon padinë e kryebashkiakut

Gjykata Kushtetuese nuk e ka kaluar në seancë plenare padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kishte kundërshtuar vendimmarrjen e një gjyqtari paraprak që e dërgoi atë për t’u përballur me SPAK si i pandehur në gjykimin e themelit.

Duke argumentuar papajtueshmëri me Kushtetutën, Veliaj kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të 9 shkurtit 2026 të gjyqtares paraprake, e cila kishte miratuar vijimin e hetimeve të SPAK dhe kalimin në gjykim të hapur ndaj 30 të akuzuarve, mes tyre edhe një funksionar lokal. Gjykata Kushtetuese vendosi moskalimin e kësaj çështjeje në seancë plenare.

Sipas raportimeve kryebashkiaku kishte kërkuar gjithashtu në Gjykatën Kushtetuese pavlefshmërinë e çdo seance të zhvilluar pas momentit kur gjyqtari paraprak e kaloi çështjen në trupën gjyqësore të GJKKO-së. Këto procese, sipas raportimit, po vijojnë të zhvillohen vetëm në praninë e avokatit të tij, pasi Veliaj këmbëngul për “barazinë e armëve” dhe kërkon daljen nga kafazi dhe pjesëmarrjen në sallë përkrah mbrojtjes.

Edhe kjo kërkesë nuk është pranuar për t’u shqyrtuar në seancë plenare.

Ndërkohë, kërkesa të tjera të Veliajt lidhen edhe me kompetencat e SPAK, përfshirë përpjekjen për shfuqizimin e një dispozite ligjore që i jep prokurorit të posaçëm të drejtën të hetojë, kur ekzistojnë dyshime të arsyeshme, edhe kolegë apo gjyqtarë të sistemit antikorrupsion.

Megjithatë, sipas raportimeve, pritet që kjo vendimmarrje të përdoret nga Veliaj në vijim, me argumentin se në gjykimin paraprak nuk është përfaqësuar nga avokatët e tij. Po ashtu, në të ardhmen ai pritet të referohet edhe te një vendim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese që urdhëroi Gjykatën e Lartë të shqyrtojë çështjen e paraburgimit të tij në raport me detyrën si kryetar bashkie dhe kushtet e mbajtjes në “kafazin e xhamtë”.