AKTUALITET, 4 Korrik 2026, 12:26

250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, Berisha: Amerikanët e festojnë këtë përvjetor më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt

250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, Berisha:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur urimet e tij për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryedemokrati thotë se "amerikanët e festojnë këtë 250-vjetor më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt".

"Sot, 250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së

Të dashur miq, sot kombi i madh amerikan feston 250-vjetorin e Pavarësisë së vendit të tij.

Amerikanët e festojnë këtë 250-vjetor më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt, por edhe me një lavdi e krenari si asnjë komb tjetër. Përgjatë këtyre 250 viteve, kombi i lirë amerikan, me gjeninë e tij krijuese, e shndërroi vendin e vet nga një ish-koloni e Mbretërisë së Bashkuar në vendin dhe kombin lider të njerëzimit në politikë, siguri, ekonomi, shkencë, arsim, shëndetësi, teknologji të lartë dhe në çdo fushë tjetër. Por, mbi të gjitha, në vendin lider të lirisë në botë. Prandaj, ky 250-vjetor është një ngjarje e madhe për mbarë njerëzimin liriadashës.

Për ne shqiptarët, kombi i madh amerikan dhe qeveria e SHBA-së kanë pasur, në disa momente kyçe, një rol përcaktues në historinë e lirisë së kombit tonë: në shpëtimin e Shqipërisë nga ata që donin ta fshinin nga faqja e dheut, si dhe në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës

Zoti i bekoftë SHBA-në, kombin dhe flamurin e tyre krenar",- shkruan Berisha.
Nga viti 2021, Berisha është "non grata" nga SHBA-të për korrupsion dhe minim të demokracisë, ndërsa disa javë më parë krydemokratit iu hoq nga Administrata Trump vetëm ndalimi për të udhëtuar drejt territorit amerikan.