AKTUALITET, 4 Korrik 2026, 13:57

Berisha: Të lirohen menjëherë protestuesit, ndëshkim atyre që ushtruan dhunë

Berisha: Të lirohen menjëherë protestuesit, ndëshkim atyre

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të protestuesve të ndaluar dhe vënien para përgjegjësisë të personave që, sipas tij, urdhëruan dhe ushtruan dhunë ndaj tyre gjatë protestave të zhvilluara gjatë javës.

Berisha u shpreh gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale se protesta është përballur me një reagim të ashpër dhe të pajustifikuar nga forcat e rendit.

“Java u karakterizua nga një dhunë, nga një egërsi çnjerëzore për të mos thënë edhe shtazore e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe falangave të tyre ndaj protestuesve paqësorë,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se, sipas tij, ndaj protestuesve është përdorur forcë e tepruar dhe mjete të ndryshme policore gjatë ndërhyrjes.

“Me gaz lotsjellës të skaduar, me spraj speci, me topa uji, me shqelma në kokë dhe me të gjitha mjetet ndaj vajzave dhe djemve paqësorë,” u shpreh kreu i PD-së.

Berisha pretendoi gjithashtu se disa pretendime për dhunë ndaj efektivëve janë të pavërteta dhe të inskenuara.

“Në një akt kriminal u përpoqën të simulojnë plagosje të policëve, të gjitha fake,” deklaroi ai.

Ai kërkoi hetim të plotë të ngjarjeve dhe lirimin e personave të ndaluar.

“Unë kërkoj në emër të PD, lirimin e tyre të menjëhershëm dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që ushtruan dhe urdhëruan dhunë ndaj protestuesve paqësorë,” u shpreh Berisha.

Ai tha se edhe thirrje  protestuesve “as nuk e kanë penguar dhe as nuk do ta pengojnë kurrë Partinë Demokratike për t’i dhënë mbështetjen më të fuqishme protestës”.

“Së pari, do të ishte tradhti e lartë po të mos mbështesje ata të rinj në idealet, ëndrrat, sakrificat e tyre. Së dyti, të pesë kërkesat e tyre janë absolutisht kërkesa për të cilat Partia Demokratike ka vite që i mbron dhe lufton. Të gjitha ligjet që kërkohen të ndryshohen janë kërkesa shumë të drejta për të cilat ne i kemi kundërshtuar në komisionet parlamentare, i kemi kundërshtuar në deklarata publike, i kemi kundërshtuar në seancë parlamentare, i kemi kundërshtuar në dëgjesa publike, por në fakt për disa prej tyre kemi marrë dhe kemi paguar edhe çmimin për të cilin jemi krenarë”, u shpreh Berisha.