AKTUALITET, 23 Maj 2023, 10:49

Prej tetë muaj protestojnë kundër qeverisë se po u vjedh pronat, por banorët e Bërxullës votuan masivisht PS-në

Prej tetë muaj protestojnë kundër qeverisë se po u vjedh
Banorët e Bërxullës në protestë

Prej tetë muajsh banorët e Bërxullës protestojnë pranë pronave të tyre kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar të qeverisë, por në 14 maj “harruan” shpejt përballjen me qeverinë që akuzojnë se po ua grabit pronat kundrejt një dëmshpërblimi qesharak.

U bënë disa të diela rresht prej muajsh që ata bllokojnë rrugën drejt Rinasit, duke kërkuar informacion nga qeveria për projektin, dëmshpërblimin që do të përfitojnë si dhe pajisjen me dokumente për pronat e tyre. Në mesin e protestës së tyre, atyre iu kërkua që të shprehnin vullnetin përmes votës, për të ndëshkuar ata që i kishin nxjerrë në rrugë që prej tetorit të vitit të kaluar. Por ata janë bërë palë me ata që akuzojnë.

Siç rezulton edhe nga shifrat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 14 maj banorët e Bërxullës kanë votuar në 12 qendra votimi dhe rezultati ka qenë i thellë në favor të Partisë Socialiste. Kandidati i PS-së, Blerim Shera, ka marrë 2266 vota (61.11%), ndërsa kandidati i BF-së Indrit Hoxha ka marrë 1442 vota (38.89%).

Banorët prej muajsh kanë kërkuar ballafaqim me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje prej tyre.