AKTUALITET, 12 Dhjetor 2025, 11:53

Prej shkurtit në burg, GJKKO shtyn për në 5 janar seancën për Veliajn

Prej shkurtit në burg, GJKKO shtyn për në 5 janar seancën

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në datën 5 janar, ora 09:00 gjyqin paraprak ndaj Erion Veliajt dhe të bashkëpandehurve.

Kryebashkiaku Veliaj ishte i pranishëm në seancë, nderkohe qe prej shkurtit te ketij viti ai gjendet ne paraburgim.

Veliaj akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion.

Erion Veliaj, përmes avokatit të tij mbrojtës ka depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) një kërkesë për revokimin e vendimit të ndërmjetëm të dhënë nga kjo gjykatë më 2 dhjetor 2025.

Kryebashkiaku Veliaj kërkon heqjen e masës së vendosjes në kafaz gjatë seancave, vënien në dispozicion të plotë dhe të menjëhershme të akteve të dosjes në një formë të aksesueshme, si dhe shtyrjen e procedurës deri në garantimin e këtyre të drejtave.

Sipas kërkesës së dorëzuar nga mbrojtja argumentohet se gjykata ka aplikuar një standard të ndryshëm nga praktika e sa e mëparshme, në raste të ngjashme.

Mbrojtja thekson se, duke qenë se dosja përmban rreth 60 mijë faqe, 21 GB në format elektronik, e drejta e të pandehurit për t’u njohur personalisht me materialet është thelbësore për garantimin e mbrojtjes efektive.