AKTUALITET, 16 Shtator 2023, 20:12

“Polifonia në rrezik”/ Interpretuesi: Kjo trashëgimi kulturore po shuhet, këngët dyzërëshe s’dëgjohen më në dasma

“Polifonia në rrezik”/ Interpretuesi: Kjo trashëgimi

Sot polifonia dyzërëshe duket një kujtim i largët. Reshit Roçi nga fshati Hotolisht i Librazhdit mundohet ta mbajë gjallë këtë trashëgimi kulturore që po rrezikon të shuhet. Ai tregon se dikur në odat e shtëpive, në dasma e gëzime të tjera nuk mungonin këngët polifonike por as vallet, veçanërisht vallet dyshe. “Përpara bëheshin dasma me këngë me valle të traditës, tani po arrijmë që u zhdukën”, theksoi ai.

Duket se tradita është zbehur. Në dasma nuk këndohet më polifoni. “Sepse kjo duket që te dasma që bëhen tani, kanë filluar në tjetër modifikim, nuk është e traditës”, tha ai. Roçi bashkë me disa burra të tjerë të zonës kanë krijuar një grup polifonik për të mos lejuar që kjo pasuri e përcjellë ndër breza të harrohet. “Grupi ynë, kemi një të përbashkët, në këngë e iso”, pohoi Roçi.

Por përpjekja e vetëm disave nuk mjafton. Reshit Roci kërkon që institucionet të angazhohen për ruajtjen e këtyre vlerave kombëtare. “Shteti duhet të bëjë punën e vet, sepse artistë ka shumë, tradita duhet parë më shumë. Më parë, Librazhdi ka marrë pjesë në festivale, ka marrë çmimet. Nga vitet ’90 e këtej, tradita humbet.“, sqaroi ai. Polifonia dyzereshe është një traditë e kahershme e Luginës së Shkumbinit. Më të veçantë, studiuesit vlerësojnë polifoninë dyzërëshe të grave.

“Lugina e Shkumbinit është përcaktuar si një zonë ku këndohet polifoni dyzërëshe, edhe e burrave, edhe e grave. Më shumë, vëmendjen e kanë tërhequr polifonia dyzërësh e grave. Shpeshherë, është bërë objekt studimi.“, tha ai. Skënder Karriqi thotë se polifonia e Shkumbinit nuk ka qenë në vëmendjen e institucioneve vitet e fundit. Për profesor Karriqin rikthimi tek traditat e aktiviteteve kulturore popullore në nivele lokale do të ishte hapi i parë për mbrojtjen e pasurive të tilla, siç është polifonia.