TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Neritan Sejamini ka folur për aferën e inceneratorëve dhe hetimet e SPAK, të cilat vijojnë por nuk kanë nxjerrë përfundime dhe faktin që qeveria paguan ende për inceneratorë që nuk funksionojnë.
I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini tha se SPAK duhet të hetonte zyrtarë të administratës pasi shumë njerëz kanë firmosur dhe kanë shkelur ligjin. Hetimi dhe kapja e "peshqve të vegjël" mund të çonte edhe te "peshqit e mëdhenj".
"Ka një këndvështrim që nuk flasim asnjëherë, çështja e administratës publike. Po të isha unë do ta filloja nga peshku i vogël.
Kemi një grua që i çon një letër qeverisë dhe mblidhen të gjithë bëjnë procedura nga hiçi, për një person që nuk ka as para dhe asgjë. Janë përfshirë drejtorë, ekonomistë, sekretarë, të gjithë janë përfshirë duke shkelur ligjin. Do ta filloja nga këta. Nga i pari që ka shpallur emergjencën mjedisore. As incenerator nuk ka hyrë në punë dhe as ka patur emergjencë. Pas tetë vitesh, kjo e emergjencës mjedisore ka qenë justifikim.
Të gjithë këto procedura, bëhen shkresa dhe janë bërë në shkelje me ligjin. Ne kemi një administratë që në vend t'i bindet ligjit, i bindet ministrit. Kush janë ata që kanë firmosur? Para se të vejë te shefi, e siglon edhe vartësi. Ku janë këta persona? Çfarë po heton SPAK-u? Sa nga këta janë arrestuar?
Po të hetohej kjo, peshku i vogël nxjerr peshkun e madh. Peshku i vogël nuk përfiton gjë dhe nxjerr peshkun e madh.
Ne kemi administratë të kalbur dhe administratë politike që i shërben politikës. Kemi administratë publike që i ka shërbyer e gjitha vjedhjes", deklaroi Sejamini.