TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetarëve të partive politike joparlamentare nuk do t'i rinovohen pasaportat diplomatike, të cilat do t’i mbajnë vetëm kryetarët e atyre partive që kanë përfaqësi në Kuvendin e Shqipërisë. Qeveria vendosi dje kritere të reja për dhënien e pasaportës diplomatike, duke ua hequr krerëve të partive joparlamentare.
Sipas vendimit të fundit të këshillit të Ministrave, pika 15 e shtojcës 2, ndryshohet nga “Kryetarët e Partive Politike”, në “Kryetarët e Partive Parlamentare”. Po ashtu, pjesë e vendimit është dhe përfshirja e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë dhe Apelit, në listën e mbajtësve të këtyre pasaportave, përveç prokurorëve të SPAK. Pjesë e trupës më pasaportë diplomatike do të jetë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin e qeverisë sqarohet se, ata që nuk mund të mbajnë më pasaportën diplomatike, kanë të drejtë të përdorin pasaportat aktuale, deri në afatin e vlefshmërisë së tyre, pa të drejtë rinovimi.
Kryetarët e Partive të cilët do të vijojnë të mbajnë pasaportën diplomatike janë 9: Fatmir Mediu, Partia Republikane. Agron Duka, Partia Agrare Ambientaliste: Dashamir Shehi, Partia Lëvizja Për Zhvillim Kombëtar. Shpëthim Idrizi, Partia për Drejtësi Integrim e Unitet. Vangjel Dule, Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut. Tom Doshi, i cili ishte i regjistruar si kryetar i Partisë Socialdemokrate. Lulzim Basha, i cili figuron ende si kryetar i PD dhe Kryeministri Edi Rama, qoftë si kryeministër, por edhe si kryetar i Partisë Socialiste.
Ndërkohë, u hiqet e drejta për të mbajtur pasaportë diplomatike, Adriatik Alimadhit, Partia e Ballit Kombëtar. Myslim Murrizit, Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare. Astrit Patozi, Parti Bindja Demokratike. Aleanca për Bashkimin Popullor, Selami Janisheri dhe Ora e shpresës Konservatore Kujtim Gjuzi. Jozefina Topallit e Partia Lëvizja për ndryshim, Edmond Stojku, i Partisë Alenaca Demokracia e re. Arian Galdini, Partia Lëvizja e re.
Vendimi
VENDIM
Nr. 69, datë 8.2.2023
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR. 389, DATË 12.6.2019,
TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E LËSHIMIT TË
PASAPORTAVE DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr. 8668, datë 23.11.2000,
“Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, me propozimin
e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Në vendimin nr. 389, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto
ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 9, 10 dhe 14 shfuqizohen.
b) Në lidhjen 1, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime:
i. Pas pikës 25 shtohen pikat 25/1 dhe 25/2, me këtë përmbajtje:
“25/1. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
25/2. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar.”.
ii. Në pikën 27, pas emërtimit “... Kryeministri;” shtohet “... Gjykatë Kushtetuese;”.
c) Në lidhjen 2, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime:
i. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Gjyqtarët;”.
ii. Në pikën 15, pas fjalës “... politike ...”, shtohet “... parlamentare ...”.
2. Subjektet që nuk përfshihen në lidhjet 1 dhe 2, që i bashkëlidhen vendimit nr.389, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, që janë pajisur me pasaporta diplomatike apo shërbimi para
hyrjes në fuqi të atij vendimi, kanë të drejtë të përdorin pasaportat përkatëse, deri në afatin e vlefshmërisë së tyre, pa të drejtë rinovimi.
3. Ngarkohen ministria përgjegjëse për punët e jashtme, ministria përgjegjëse për punët e brendshme dhe institucionet e tjera publike, zyrtarët apo subjektet e të cilave pajisjen me pasaporta diplomatike apo shërbimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR
Edi Rama