AKTUALITET, 9 Nëntor 2025, 14:44

“Personat e paautorizuar të largohen nga qendrat e votimit”, kandidati i “Shqipëria Bëhet” në Cërrik denoncon intimidimin e votuesve

“Personat e paautorizuar të largohen nga qendrat e votimit”,
Eligert Hima

Kandidati i “Shqipëria Bëhet” në Cërrik, Eligert Hima, ka bërë një prononcim për mediat, përmes të cilit denoncon se persona të paautorizuar qëndrojnë në hyrjet e qendrave të votimit, për të intimiduar votuesit.

Ai bën thirrje që këta persona të largohen nga qendrat e votimit dhe të lejojnë qytetarët që të votojnë me vullnetin e tyre të lirë pa presion dhe ndikim.

Eligert Hima: Duhet të largohen të gjithë personat që rrinë përballë qendrave të votimit dhe që nuk kanë asnjë lloj funksioni. I bëj thirrje policisë së shtetit të marrë masa për mos të intimiduar votuesit dhe vota duhet të jetë e lirë dhe me dëshirë dhe jo me ndere, apo me favore që u është bërë nga drejtorët, apo çdo punonjës i administratës.

Kam bërë një xhiro personalisht sot në qendrat e votimit dhe në çdo hyrje të qendrave të votimit kam parë persona që nuk kanë asnjë lloj funksioni që rrinë dhe intimidojnë votuesit.

Kujtojmë se Eligert Hima kandidon për bashkinë e Cërrikut kundrejt socialistit, Florenc Doka dhe kandidatit të pavarur të mbështetur nga PD, Amarildo Hoxha.

Rreth 335 mijë qytetarë janë thirrur sot në votime për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në pesë bashki të vendit: Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik dhe Mat.

Bashkia me numrin më të madh të votuesve është Vlora, me afro 171 mijë zgjedhës, ndërsa më e vogla është Tepelena, me rreth 13 mijë votues.

Në këto zgjedhje, Partia Socialiste ka kandiduar Brunilda Mersinin në Vlorë, Ervin Cecën në Berat, Gramoz Sakon në Tepelenë, Florenc Dokën në Cërrik dhe Altin Bojnin në Mat.

Opozita e bashkuar nuk ka paraqitur kandidatë politikë, por ka vendosur të mbështesë kandidatë të pavarur.

Në Vlorë, ajo mbështet Dionis Sotën, ndërsa në garë ndodhet edhe Gjergj Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak i zgjedhur në listat e Partisë Demokratike në vitin 2023.

Për Bashkinë e Beratit, opozitarët mbështesin Pavlo Shkarpën, në Tepelenë garon Gabriel Guma, ndërsa në Cërrik janë në garë Amarildo Hoxha (i pavarur) dhe Eligert Hima, përfaqësues i “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.

Në Mat konkurrojnë Eduart Brahilika (i pavarur) dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e Forumit të Gruas në PS.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash. Mbi 600 efektivë do të jenë në terren përgjatë gjithë ditës, ndërsa janë marrë në ruajtje 473 qendra votimi dhe 9 godina ku ndodhen Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), ku do të zhvillohet edhe numërimi i votave.

Kryebashkiakët që do të zgjidhen nga ky proces do të ushtrojnë mandatin e tyre deri në vitin 2027, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e radhës për pushtetin vendor në të gjithë vendin.