AKTUALITET, 23 Nëntor 2022, 15:45

Përplasi me makinë 21-vjeçaren, policia greke në kërkim të shqiptarit

Përplasi me makinë 21-vjeçaren, policia greke në

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qendër të Selanikut në orët e para pas mesnatës, ku një 21-vjeçare ka mbetur e plagosur rëndë, pasi u përplas nga një makinë.

Sipas mediave greke, makinën e drejtonte një 30-vjeçar shqiptar. Ai e kishte marrë makinën tip “Skoda” hua për një ditë nga një 44-vjeçar grek.

Protothema.gr shkruan se shqiptari është me precedentë dhe është gjendur në dyert e policisë disa herë.

30-vjeçari është i dyshuari kryesor për ngjarjen dhe është në kërkim nga policia.

Makina që ka përplasur dhe plagosi rëndë 21-vjeçaren është gjetur mëngjesin e së martës e braktisur, pa targa, me xhama të thyer në Unazën e Selanikut. Qytetarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes, kishin arritur të regjistronin targën e automjetit dhe ia dhanë policisë që mbërriti në vendngjarje.

Gjithçka ndodhi pak pas orës 01:00 të së martës kur makina gri e errët goditi të renë e cila me siguri po kalonte rrugën dhe më pas u largusa nga vendngjarja.


Qytetarët që dëgjuan zhurmën dolën me shpejtësi në rrugë për të parë se çfarë ndodhi, i bërtitën shoferit të ndalonte dhe një prej tyre ndoqi makinën me një motoçikletë, e cila arriti të zhdukej në rrugët e ngushta të zonës.

Në fakt drejtuesi i mjetit në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes është kthyer mbrapsht dhe ka goditur sërish 21-vjeçaren, ndërsa ajo ka mbetur e plagosur rëndë në asfalt.

Vajza fatkeqe vazhdon të luftojë për jetën, pasi ndodhet e shtruar në gjendje shumë kritike dhe e intubuar në spital. Pas mbërritjes në spital ajo iu nënshtrua një sërë operacionesh ndër të tjera në kokë ku ka lëndime të rënda.