AKTUALITET, 23 Nëntor 2022, 14:28

"Duhet të jetë i pamanipuluar"/ Alarmoi për procesin e zgjedhjes së kreut të SPAK-ut, Kim zbardh takimin me ministrin Manja

"Duhet të jetë i pamanipuluar"/  Alarmoi për procesin e
Ambasadorja Kim dhe ministri Manja

Ambasadorja e SHBA-së, në vendin tonë, Yuri Kim, shkroi sot se dje ka zhvilluar një takim me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. Në fokus të këtij takimi ka qenë reforma në drejtësi dhe rëndësia e saj për aspiratet e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Yuri Kim ka theksuar sërish se presidenti Joe Biden e identifikoi luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare, pasi kërcënon sigurinë, barazinë ekonomike, progresin dhe demokracinë.

Ky takim ka ardhur para pjesëmarrjes së ministrit Ulsi Manja në Konferencën e Njezetë Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit (IACC) në Uashington, DC, 6-10 dhjetor.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua dje me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të shqyrtuar progresin në zbatimin e reformës në drejtësi dhe rëndësinë e saj për aspiratat e Shqipërisë për integrimin në BE.

Ambasadorja theksoi sërish që Presidenti Biden në qershor 2021 e identifikoi luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare, sepse kërcënon sigurinë, barazinë ekonomike, progresin dhe demokracinë. Takimi i paraprin pjesëmarrjes së Ministrit Manja në Konferencën e Njezetë Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit (IACC) në Uashington, DC, 6-10 dhjetor”, shkruan ambasada e SHBA-së.

Takimi i zonjës Kim u bë ditën kur ambasadorja amerikane u shpreh se ka dyshime mbi procesin që pritet të çojë në zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kim, përmes një postimi në Twitter nënvizoi nevojën që procesi të jetë “transparent” dhe “i pamanipuluar” duke lënë të kuptohet për përpjekje të mundshme për ndërhyrje në përzgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm.

“Tani që janë konfirmuar kandidatët për kreun e ardhshëm të Prokurorisë së Posaçme, është thelbësore që procesi të jetë transparent, në mënyrë që drejtuesi i ardhshëm, së pari, të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe rezultateve të arritura, dhe së dyti të jetë i aftë dhe i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkroi ambasadorja.

Pjesa e dytë e postimit të saj, duket të jetë veçanërisht e lidhur me shqetësimin ndaj procesit të përzgjedhjes, që siç vë në dukje ambasadorja amerikane “duhet të jetë i pamanipuluar nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK-u, si dhe reforma në drejtësi, duhet të jetë për të ardhmen e Shqipërisë”.

Reagimi u bë një ditë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidaturat, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili, prokurorë të Prokurorisë së Posaçme. Dy prej tyre, Dumani dhe Kondili, morën pjesë dhë në garën e zhvilluar tre vjet më parë, kur u zgjodh zoti Arben Kraja, drejtuesi i parë i këtij institucioni, i cili nisi punën pa numrin e plotë të prokurorëve, ndërkohë që Byroja Kombëtare e Hetimit, pjesë e tij, u bë funksionale shumë më vonë.

Mandati i drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme është tre vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të duhet të zgjidhet me votën e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të prokurorisë. Këta të fundit do të dëgjojnë secilin prej kandidatëve teksa pritet të shpalosin dhe platformat e tyre mbi mënyrën se si mendojnë të organizojnë dhe drejtojnë punën e institucionit.