AKTUALITET, 23 Nëntor 2022, 12:05

"E paqartë se cilat janë financimet e partive dhe sa është vlera e tyre"/ Celibashi flet për paratë ruse të PD-së: Shkelje e rëndë e ligjit, trajtohen nga prokuroria dhe gjykata

"E paqartë se cilat janë financimet e partive dhe sa
Ilirjan Celibashi

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, tha sot se palët politike janë më të frikësuara nga sanksionimet dhe po përpiqen që të bëjnë pasqyrim të financimeve, duke shtuar se nuk është ende e qartë se cilat janë financimet dhe sa është vlera e tyre, por po punojnë. Sa u përket financimeve ruse në PD, Celibashi tha se çështja po adresohet nga prokuroria dhe përbën shkelje të rëndë të ligjit. 

"Nuk e konstatoj arrogancën e partive politike për ta shpërfillur hapur atë që ka sanksionuar Kodi Zgjedhor në raport me financimin e partive politike. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi asnjë problem si parti politike në qasjen e tyre në lidhje me financimin, por duhet ta themi se të gjithë përpiqen. Ky është një hap i mirë le të themi, pasi duket sikur palët janë të ndërgjegjësuar për rëndësi që ka zbatimi i këtyre normave ndoshta edhe frikën për të mos u sanksionuar.

Takimi i sotëm është episodi i parë i një serie takimesh që do të zhvillohen. Do të vazhdojmë të konsultohemi në lidhje më të gjitha ndalimet apo lejimet që Kodi Zgjedhor ka për sjelljet. Jo të gjithë e kemi të qartë se kush duhet të financojë kë, sa është vlera e financimit”, tha Celibashi.

I pyetur për financimet ruse në PD, ai tha se çështja po adresohet nga prokuroria dhe përbën shkelje të rëndë të ligjit. 

“Ka parashikime në Kodin Penal dhe zgjedhor për të ndaluar financimet ruse, janë çështje që po adresohen nga organi i Prokurorisë. Përbën shkelje të rëndë të ligjit, të cilat klasifikohen si vepra penale dhe do të duhet të trajtohen nga organet përkatëse Prokuroria dhe Gjykata”, tha ai në një deklaratë për gazetarët.

Votimi elektronik do të realizohet vetëm në Vorë për zgjedhjet e 14 majit. KQZ kërkoi 37 mln euro për të realizuar procesin e votimit elektronik edhe në 6 bashki të tjera për zgjedhjet e ardhshme vendore por deri tani ende nuk është lëvruar ky fond nga qeveria. Para mediave, kreu i KQZ u shpreh se nuk ka pasur shtysë nga ana e partive politike për ta zgjeruar por edhe nëse do të ndodhte, koha është e pamjaftueshme për ta realizuar.

“Do të donim të dinim nëse është i mundur financimi i zhvillimit elektronik në këto 6 bashki, maksimumi mesi i muajit që vjen. Nëse paratë janë të mundura për KQZ, procesi i realizimit dhe prokurimit të pajisjeve kërkon kohë që nuk është e mjaftueshme. Së fundmi nuk kam konstatuar një shtysë nga ana e partive politike, ka deklarime sporadike të përfaqësuesve për ta zgjeruar votimin elektronik, por s’ka një shtysë të fortë, dhe pse ka një lloj interesi. Nuk do të ketë ndryshime të minutës së fundit të Kodit Zgjedhor. Duket se nuk do të ndryshojë asgjë. Ne kemi një ligj zgjedhor që garanton proces të drejtë dhe të ndershëm”, tha Celibashi.
Për partitë që rezultojnë me adresa të pasakta dhe nuk dorëzojnë pasqyrat financiare, Celibashi tha se këto janë çështje që duhet të rishikohen.

“Një pjesë janë inekzistente jo vetëm prej veprimtarisë politike, por s’duken askund. Mendoj se ekzistojnë si disa subjekte që kanë zënë kolonat e regjistrit. Kjo cështje duhet parë”, tha Celibashi.