AKTUALITET, 6 Janar 2026, 17:03

Përmbytje të rënda në ish-Kënetën e Durrësit, banori lëviz me gomone në mes të lagjes: E vetmja mënyrë për të dalë

Përmbytje të rënda në ish-Kënetën e Durrësit,

Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në zonën e ish-Kënetës në Durrës, duke vënë në vështirësi të mëdha dhjetëra familje. Banorët kanë treguar situatën dramatike me të cilën po përballen.

Një prej banorëve ka arritur të lëvizë në lagjen e tij vetëm përmes një gomoneje të vogël, duke dëshmuar nga mesi i ujit gjendjen e rëndë në zonë. “Situata është katastrofë, nuk ka më keq. Është një rast i rrallë. Pa këtë gomone nuk dal dot, kemi fëmijë të vegjël dhe dëme të mëdha materiale në shtëpi,” u shpreh ai.

Banori tregoi se gomonen e kishte blerë për fëmijën e tij për përdorim në det, por nuk e kishte menduar kurrë se do t’i duhej ta përdorte brenda lagjes. “Ndryshe nuk dalim dot. Kemi frikë nga rryma elektrike, dritat kanë ikur e kanë ardhur disa herë. Askush nuk ka ardhur të interesohet për çfarë po ndodh. Nuk kemi dalë dot as për të parë gjendjen përreth,” tha ai.

Banorët e zonës së Kënetës shprehen se përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, pasi situata mbetet e rrezikshme, veçanërisht për familjet me fëmijë të vegjël.