AKTUALITET, 18 Dhjetor 2024, 10:18

Përgatitjet/ Zgjedhjet në 9 shkurt, KQZ certifikon sot subjektet politike me mbi 600 kandidatë

Përgatitjet/ Zgjedhjet në 9 shkurt, KQZ certifikon sot subjektet

Gati gjysma e kandidatëve për deputetët nga radhët e subjekteve të ndryshme politike pritet të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, raporton Ekonomia Online.

Bëhet fjalë për më shumë se 600 kandidatë për deputetë, të cilët i takojnë 11 subjekteve të ndryshme politike.

Ky lajm është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me certfikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së (e mërkurë, 18 dhjetor 2024) në rend dite është certifikimi i 11 subjekteve politike me më shumë se 600 kandidatë”, njoftoi Elezi.

Gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës (1 shtator – 11 dhjetor 2024), ai tha se kanë aplikuar: 28 subjekte politike, prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, Elezi bënë të ditur se është 1,280 kandidatë.