AKTUALITET, 17 Dhjetor 2024, 22:12

“Kemi kërkuar pamjet filmike”, flet avokati i familjes Cani: Nuk jemi njohur me dokumentacionin shkencor

“Kemi kërkuar pamjet filmike”, flet avokati i familjes Cani:

Vdekja e djaloshit Martin Cani vijon të mbetet akoma një ngjarje e pazbardhur për policinë e vendit. Në lidhje me këtë çështje ka folur dhe avokati i familjes Cani, i cili ndër të tjera ka bërë dhe njëherë thirrje për transparencë dhe hetim të plotë për rastin e 14 vjeçarit, i cili mbeti i vrarë nga bashkëmoshtari i tij në shkollën "Fan Noli" në kryeqytet.

Në një prononcim për “Klan News” avokati Redi Ramaj, ka treguar se akoma nuk është njohur me dokumentacion shkencor në lidhje me ngjarjen por vetëm me një pjesë të dëshmive të dhëna në polici nga të përfshirët dhe dhëshmitarët që kanë qenë të pranishëm ditën kur ka ndodhur dhe konflikti.

Ndërkohë ai thotë se ka kërkuar që policia të paraqesë pamjet që kanë kapur kamerat e sigurisë por as kjo nuk është bërë akoma e mundur.

Redi Ramaj: Për të hequr sa ka mundësi atë dramë të familjes të kemi të gjithë ato pikat e errëta të ngjarjes të zbardhura, kemi kërkuar dokumentacionin që lidhet me ngjarjen duke filluar nga dëshmitë, duke vazhduar me aktet e ekspertimit dhe duke përfunduar edhe me kamerat për ato që ka mundur të kapet. Kemi kërkuar nga institucionet nga shkolla Fan Noli dhe Drejtorinë Arsimore të gjithë dokumentacionin dhe njohuritë mbi ngjarjen.

Deri më tani duke qenë se çështja është në hetim ne jemi njohur me një pjesë të dëshmive, materiale që i përkasin edhe të plagosurit, djalit tjetër Luisit dhe me prova që nuk janë shkencore, por me dëshmitarë. Nuk jemi njohur me prova shkencore dhe me kamerat nga vendngjarja.

Në momentin që do të kemi të gjithë dokumentacionin ne mund të themi nëse ka tentative për ta zvaritur si proces, për të mbrojtur dikë tjetër, nuk e di, por deri tani që flasim nga dijenia jonë të paktën nga veprimet e prokurorisë është marrë masë për tu kryer veprimet hetimore të domosdoshme. Kërkojmë transparencë dhe hetim të plotë në mënyrë që rasti i Martin Canit të mos kalojë si diçka rutinë e Policisë, por të hetohet intensivisht që të zbulohet e vërteta.

I pyetur nëse familja Cani ka patur komunikim me familjarët e autorit të ngjarjes, Mario Përlleshaj, avokati është përgjigjur duke thënë se nuk kasnjë kontakt dhe as normalizim të marrëdhenieve mes dy familjeve.

“Nga ajo çfarë di edhe nga deklarimet ka thënë që nuk ka pasur komunikime me familjen e të miturit tjetër. Mendoj që deri në këtë moment akoma nuk ka një normalizim marrëdhëniesh”, u shpreh avokati Ramaj.