AKTUALITET, 5 Gusht 2025, 10:51

Përfundon afati për heqjen vullnetare, nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Korçë

Përfundon afati për heqjen vullnetare, nis aksioni për lirimin e

Në Korçë ka përfunduar afati për lirimin vullnetar të hapësirave publike. Për këtë arsye, këtë të martë, Inspektoriati për Mbrojtjen e Territorit (IMT), e mbështetur edhe nga Policia Bashkiake e Korçës, ka nisur ndërhyrjen për prishjen e konstruksioneve metalike në pedonalen e qytetit.

Këshilltari i pavarur i Bashkisë së Korçës, Lazjon Petri, ka reaguar në mbështetje të biznesit. Ai tha se, drejtuesit e bashkisë po veprojnë nën ndikimin e qeverisë qendrore, duke u shprehur se askush nuk mundet ta kundërshtojë urdhrin e kryeministrit Rama.

Sipas tij, kjo ndërhyrje po kryhet pa një vendim të shkruar, ndërsa shtoi se kryebashkiakët nuk po dalin nga “fustani” i Kryeministrit Rama për të kundërshtuar urdhrin e tij.

Prej më shumë se një muaji, në vend po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Ndërkaq, deri më 31 korrik, ishte afati i fundit për bizneset që kanë aktivitetin e tyre në akset nacionale, që të lironin hapësirat, në të kundërt, për ta do të kishte penalitete.

Herë pas here, Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet e tij sociale, pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike, çka sipas tij, nuk do të ndalojë, teksa ka paralajmëruar se do të ketë konsultime me bizneset dhe jo vetëm, për një rregullore kombëtare për territorin.