AKTUALITET, 8 Tetor 2024, 15:17

Për të disatën herë, uji i pijshëm helmon banorët në Dibër, deputeti: Janë me qindra

Për të disatën herë, uji i pijshëm helmon banorët

Për të disatën herë brenda pak viteve, banorët e bashkisë Dibër helmohen nga uji i pijshëm. Sot disa banorë në Dibër kanë shfaqur simptoma helmimi dhe janë shtruar në spital. Sipas burimeve zyrtare, Komisariati i Policisë Dibër, ka marrë njoftim se disa shtetas (mes tyre dhe disa të mitur), banorë të bashkisë Dibër, ishin paraqitur në spitalin rajonal të qytetit të Peshkopisë, për ndihmë mjekësore me simptoma si ata të helmimit.

Me marrjen e njoftimit, është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit.

Nga informacionet e marra nga Drejtoria Rajonale Spitalore Dibër dhe nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Dibër që ditën e djeshme, në urgjencën e spitalit janë paraqitur raste të shtuara me simptoma gastro-enterite, ku pacientët kanë marre shërbimin spitalor dhe janë kthyer në banesa.

Me marrjen e këtij njoftimi Prefekti ka marre kontakt me strukturat e spitalit, NJVKSH, Drejtorinë rajonale të Ujësjellësit dhe Bashkinë Dibër. Pacientët kanë marrë serume ditore dhe janë kthyer në banesa.

6 persona (5 fëmije dhe 1 i rritur) janë shtruar në spital. NJVKSH gjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme ka marrë analizat fiziko-kimike në të gjithë depot e fshatrave dhe parametrat kanë dalë në normalitet. Analizat bakteriologjike janë dërguar në ISHP dhe pritet që brenda 24 orësh të kemi përgjigjet.

Ndërkohë mjekët e familjes dhe strukturat e bashkisë kanë informuar qytetarët për përdorimin e ujit me kujdes deri në raportin përfundimtar nga strukturat përkatëse. Situata ditën e sotme paraqitet më e qetë dhe rastet e paraqitura në urgjencë janë të pakta.

Ata thonë se uji i ujësjellësit të Sopanikës është kontaminuar dhe personat që e kanë konsumuar kanë të vjella dhe dhimbje të forta barku.

Dibranët i bëjnë thirrje autoriteteve, qeveritare dhe vendore, që të kryejnë sa më parë analizat e ujit, ndërsa banorëve u kërkohet të mos e konsumojnë në asnjë lloj mënyre.

Ndërkohë Xhelal Mziu, deputet nga Dibra, thotë se Ujësjellësi i Sopanikës në Bashkinë Dibër është i kontaminuar dhe qindra banorë janë helmuar!
"Të gjitha strukturat shtetërore e mbajtën të fshehtë këtë ngjarje të rëndë prej më shumë se dy ditësh.
Prej 2 ditësh urgjenca e spitalit të Peshkopisë po përballet me flukse të mëdha njerëzish: burra, gra, fëmijë, të cilët kanë shfaqur simptoma të helmimit. E gjitha kjo dyshohet se ka ardhur si pasojë e kontaminimit të ujit të pijshëm.
Ujësjellësi i Sopanikës furnizon me ujë dhjetëra fshatra të 4 Njësive Administrative (Arras, Fushe-Çidhen, Kastriot, Tomin) të bashkisë Dibër.
Ndërkohë nga ana e autoriteteve përkatëse nuk është marrë asnjë masë, madje ata janë treguar të kujdesshëm që ta mbajnë të fshehur këtë rast.
U bëj thirrje autoriteteve qe marrin masa të menjëhershme për përmirësimin e situatës"- shkruan Mziu.