AKTUALITET, 20 Gusht 2023, 14:00

Pelegrinazhi në malin e Tomorrit/ Nikolla: Eksplorim shpirtëror e mirënjohje ndaj Zotit

Pelegrinazhi në malin e Tomorrit/ Nikolla: Eksplorim shpirtëror e

Besimtarët bektashinj nisin pelegrinazhin në malin e shenjtë të Tomorit i cili mbahet deri më 25 gusht.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti sot besimtarët bektashinj dhe qytetarët nga Shqipëria e Diaspora, që pelegrinojnë këto ditë në Malin e Shenjtë të Tomorrit.

"Pelegrinazhi, ky marshim madhështor dhe unikal në tempullin fetar të bektashinjve, është një eksplorim shpirtëror, sakrificë, mirënjohje, adhurim dhe përkushtim i besimtarëve ndaj Zotit,"-tha Nikolla.

Kryeparlamentarja u shpreh se këto vlera inspiruese të bektashinjve janë një thirrje shpirtërore për rritjen e përgjegjësive individuale e publike për jetën, mirëqenien dhe lumturinë e njerëzve që na rrethojnë.

“Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë besimtarët bektashinj e qytetarët”, shkruan Nikolla në mesazhin e saj. 

Mijëra qytetarë bëhen pjesë e pelegrinazhit në Malin e Shenjtë të Tomorrit në Berat.

Çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth 300-400 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, bëhen pjesë e kësaj feste fetare.

Gjatë pesë ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndetin dhe paqen në familjet e tyre.Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit.