AKTUALITET, 8 Dhjetor 2022, 12:16

PD publikon videon: Bie mashtrimi i Ramës, agresori i Berishës s’kishte probleme të shëndetit mendor

PD publikon videon: Bie mashtrimi i Ramës, agresori i Berishës
Gert Shehu para dhe pas rrahjes nga truprojet dhe militantët e PD-së

Partia Demokratike ka publikuar një video të fqinjëve të Gert Shehut, agresorit të kreut të PD Sali Berisha gjatë protestës së opozitës dy ditë më parë. Një prej moshatarëve të tij ka deklaruar se Shehu konsumonte lëndë të ndryshme narkotike, ndërsa shtoi se nuk kishte probleme të shëndetit mendor.

“Nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor. Pinte drogë, hashash po si duket pinte edhe nga ato të tjerat. Po me shumë mundësi konsumonte edhe shumë të tjera. Punonte në disa piceri. Ishte besimtar, sa herë kalonte na përshëndeste me fjalë të besimit islam. Nuk ka qenë person problematik në lagje”-u shpreh një prej fqinjëve teksa shtoi se nuk ka probleme të shëdetit mendor.

Referuar deklaratave të fqinjëve shefi i organizimit të PD, Klevis Balliu, shkruan se sipas tij ka “rënë mashtrimi i qeverisë”.

“Bie mashtrimi i Edi Ramës. Qytetarët që e njohin Gerti Shehun deklarojnë se nuk kishte çrregullime. Fabula ra, tani koha e përgjegjësisë”, shkruan Balliu.

“Kisha inat personal”, kjo ka qenë një nga deklaratat e 31-vjeçarit, Gert Shehu para oficerëve të policisë. I riu ka dhënë deklarata kontradiktore, pasi, ndonëse në njërën ka thënë se kishte inat personal, në të tjerat mësohet se nuk ka dhënë arsye. 31-vjeçarit i është komunikuar masa e arrestit në Spitalin e Traumës. Mbi të rëndojnë dy akuza: goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në rrugën që lidh selinë e Partisë Demokratike me bulevardin Dëshmorët e Kombit. Gert Shehu u shpëtoi nga duart truprojave dhe arriti që të godiste me grusht kreun e PD-së, Sali Berisha, teksa ky i fundit po marshonte për në bulevard. Menjëherë kanë ndërhyrë truprojat e Berishës  dhe simpatizantët të Partisë Demokratike, të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e 31-vjeçarit.