AKTUALITET, 25 Nëntor 2022, 17:04

PD i shpall "luftë" Disney-t dhe falenderon Akil Panon: Filmat e Sorosit po na helmojnë familjet! Ramës dhe Veliajt po i vjen fundi

PD i shpall "luftë" Disney-t dhe falenderon Akil Panon: Filmat e

Partia Demokratike ka reaguar kundër filmit të animuar të Disney, "Strange World", që po shfaqet në kinematë shqiptare dhe ku ka edhe personazhe gay. 

PD e konsideron këtë një skandal, "helm të George Soros" dhe falenderon koalicionin e ndërtuar nga Pastori Akil Pano, për reagimin në mbrojtjen e familjeve të shqiptarëve nga "rreziku" gay. 

"Ju bëj thirrje prindërve dhe edukatorëve të denoncojnë pranë Sekretariatit për të Drejtat e Njeriut cdo akt që nxit, inkurajon apo promovon devijimet nga normaliteti", deklaroi eksponenti i PD. 

Si për ironi, kjo deklarata është bërë pikërisht nga Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Bislim Ahmetaj. 

Ndër të tjera ai deklaron se filmat vizatimorë, që shfaqin personazhe gay janë "propagandë e llojit sorosian". Më tej ai shton se Ramës dhe Veliajt, që mbështeten nga Sorosi, po u vjen fundi. 

Kujtojmë se Pastori Akil Pano, sapo u informua që në kinema do të shfaqej filmi i Disney-t, mblodhi me urgjencë në orët e mbrëmjes "task forcën" për mbrojtjen e familjeve të shqiptarëve, tashmë jo vetëm nga LGBT, por edhe nga Disney. 

Kujtojmë se Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ka konstatuar në një çështje të referuar pranë këtij institucioni, se Pastori Akil Pano ka përdorur gjuhë diskriminuese ndaj komunitetit LGBT. 

Pas shqyrtimit të çështjes, Komisioneri ka vendosur: Konstatimin e diskriminimit në “gjuhën e urrejtjes” të personave që i përkasin komunitetit LGBTI, për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor dhe karakteristikave të seksit, si pasojë e gjuhës së përdorur nga Pastori Akil Pano në emisionin Zonë e Lirë.  Lirë, transmetuar në datën 18.06.2021 në TV Klan dhe emisionin “Ndryshe” transmetuar në datën 22.06.2021 në Top Albania Radio.

Deklarata e Plotë e Sekretarit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Bislim Ahmetaj: 

"Partia Demokratike, si parti e vlerave konservatore, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbrojtje të familjes tradicionale, ne jemi të vendosur të kundërshtojmë çdo lloj propagande të llojit sorosian që promovon “Prindin 1” dhe “Prindin 2”, apo që “të jesh gay është gjëja më normale e mundshme”, “që heronjtë e fëmijëve tanë të jenë gay”, e të tjera devijime kundër familjes tradicionale dhe Krijuesit.

Në cilësinë e Sekretarit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike u bëj apel prindërve dhe mësuesve që të denoncojnë çdo përpjekje për t’i dhënë legalitet helmit që shpërndahet përmes filmave dhe formave të ndryshme të propagandës nëpër shkollat tona publike dhe private. Siç po ndodh këto ditë me filmin “Strange World”, përkthyer në shqip me titullin “Botë e Mrekullueshme”, që po shfaqet në Kinema Millenium prej disa ditësh. Heronjtë e fëmijëve tanë, janë dhe duhet të jenë Skënderbeu, Nënë Tereza, Ismail Qemali e plot të tjerë, dhe jo përsonazhet gay të filmit “Botë e mrekullueshme”

Gjej rast të falenderoj dhe të shpreh solidaritet dhe mbështetje të plotë me “Koalicionin Shqiptarët Pro Familjes dhe Jetës”, si edhe organizatave të tjera të shoqërisë civile që kundërshtojnë me forcë promovimin dhe legalizimin e kësaj propagande, e cila po përpiqet të helmojë njërën prej shtyllave më të forta të shoqërisë shqiptare, Familjen. Dërgatës së Xhorxh Sorosit në krye të qeverisë shqiptare dhe të Bashkisë së Tiranës po i vjen fundi, ndaj edhe një herë ju bëj thirrje prindërve dhe edukatorëve të denoncojnë pranë Sekretariatit për të Drejtat e Njeriut cdo akt që nxit, inkurajon apo promovon devijimet nga normaliteti, që cënon parimet themelore të familjes, kolonës që ka siguruar mbijetesën historike të kombit tonë. Ju faleminderit"