AKTUALITET, 25 Nëntor 2022, 15:30

Arrestimi i ish-zyrtarit të PS-së për laboratorin e kokainës/ PD: Shëmbëlltyrë e pushtetit të Edi Ramës! U kap si mi nga amerikanët, në 6 dhjetor në protestë sepse…

Arrestimi i ish-zyrtarit të PS-së për laboratorin e

Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu ka reaguar pas arrestimit të ish-zyrtarit të PS-së, Viktor Çervanakun pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Fier.

Në një deklaratë për mediat, Balliu deklaroi se Çervanaku është shëmbëlltyrë e pushtetit të Edi Ramës, teksa tregon qartë lidhjet e qeverisë me krimin.

Deklaratë e Shefit të Organizimit Klevis Balliu

Një sharës publik, patronazhist me licensë, adhurues/shërbëtor i Edi Ramës dhe nëpunës në bashkinë e Erion Veliajt, ka rënë dje në rrjetën e DEA-s amerikane, si pjesë e një grupi narko-trafiku.

Viktor Çervanaku, që u kap si mi nga amerikanët, nuk është thjesht një zyrtar socialist i korruptuar, ai është shëmbëlltyra ideale e pushtetit të Edi Ramës. Medias do t’i dërgojmë një status në facebook të narko-trafikantit në fjalë, që tregon jo vetëm nivelin e tij, por fytyrën e këtij shteti dhe patericat ku ai mbështetet për të ndenjur në pushtet.

Partia Demokratike dënon lidhjet mes trafikantëve, keqbërësve, sharlatanëve të tillë, që shkojnë deri lart në majat e pushtetit. Vini re: Çervanaku ka qenë kryetar komune i pushtetit vendor të Edi Ramës dhe nëpunës në bashkinë e Erion Veliajt.

Ai ka qenë dhe mbetet zorra qorre e një pushteti piramidal i cili frymëzon vetëm korrupsionin dhe të ligën. Vini re gjithashtu: ai nuk do të kapej asnjëherë, dhe do të vazhdonte trafikun e kokainës, patronazhimin, lavazhin oral të shefave të tij në Tiranë, dhe linçimin e opozitës me gjuhë vulgare, po të mos ishte DEA Amerikane.

Për policinë dhe organet ligjzbatuese shqiptare, beu i Frakullës dhe lapërdhari i bashkisë së Tiranës do të vazhdonte i qetë trafikun, si mënyrën kryesore të këtij pushteti për të vjedhur zgjedhjet dhe varfëruar shqiptarët. Raportimet dëshmojnë se droga trasportohej me kamionet e ushtrisë drejt Malit te Zi, çka vërteton implikimin direkt te politikes ne narkotrafik.

Ky nuk është rasti i parë që punonjës të institucioneve të shtetit të Ramës kapen në trafikun e drogës. Qeveria Rama ka krijuar nje ekonomi kriminale te trafikut te droges, me ane te ciles pasurohen zyrtaret, vidhen zgjedhjet, lincohen kundërshtarët politike dhe vritet puna dhe biznesi i ndershem.

Si për ironi të fatit, pak metra nga laboratori i kokainës të punonjesit te Bashkisë së Tiranës dhe ish-kryekomunarit socialist të Frakullës, ndodhej sera e një fermeri i cili po falimenton. Kjo pasi Rama nuk subvencionon biznesin e ndershëm por frymëzon, lejon dhe përfiton nga narkotrafiku. Partia Demokratike falenderon DEA amerikane për luftën pa kompromis ndaj narkotrafikut dhe siguron partnerët se bandat e pushtetit do te gjejnë fundin me ardhjen tonë në pushtet, njësoj si shumë të tilla në vitet 2005-2013.

Me një qeveri që frymëzon ekonomin e narkotrafikut dhe mbështet atë me segmentet shtetërore Shqipëria është në rrezik. Ja pse dalim më 6 dhjetor në protestë. Europa duhet ta dëgjojë nga goja e popullit, dhe jo vetëm nga raportet e shërbimeve inteligjente se shteti është kapur dhe një pushtet i tillë nuk duhet mbështetur.