AKTUALITET, 4 Mars 2025, 16:15

PD i ofroi 4 vende në listat e sigurta, Maliqi: Partia e Lirisë duhet të krijojë grup parlamentar

PD i ofroi 4 vende në listat e sigurta, Maliqi: Partia e Lirisë duhet

Drejtuesi politik për qarkun e Beratit në Partinë e Lirisë, Lefter Maliqi, ka folur për peizazhin politik në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Maliqi shprehu besimin e tij se do të rikthehet në Parlament, duke e cilësuar këtë si një rikthim të tretë.

“Do të jem deputet dhe është një rikthim i tretë imi,” -tha ai. Ai theksoi ambiciet e tij për bashkinë e Kuçovës, të cilën e quajti të “grabitur,” duke shtuar se marrëveshja me mbështetësit e tij është të qëndroj si deputet për një kohë të shkurtër dhe më pas të kandidojë për këtë post.

Maliqi theksoi rëndësinë e krijimit të një grupi parlamentar për Partinë e Lirisë. “Opozita e bashkuar në qarkun e Beratit do të fitojë 4 mandate deputetësh,” deklaroi ai, duke përmendur se në Tiranë, Partia e Lirisë mori 23 mijë vota në vitin 2021.

Ai propozoi që drejtuesit e Partisë së Lirisë, përveç Ilir Metës, të jenë aktivë në qarkun e Tiranës, ndarë sipas zonave, për të marrë 2 mandate dhe për të krijuar një grup parlamentar me 7 deputetë.