TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbrëmë, në studion e emisionit “Të paekspozuarit”, ndërsa po niste diskutimi për mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif”, drejtuesi Ylli Rakipi tregoi në të djathtë të ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollo, vendet bosh, ku duhet të ishin përfaqësuesit të qeverisë dhe të shkollës turke.
Ministria e Arsimit, përmes titullares, e kishte bërë të qartë, përmes mospërgjigjes, se nuk do të ishte në panel. Shkolla dhe të lidhurit me të, prej të premtes, kishin shfaqur dëshirën për të qenë. Në fundjavë, zëdhënësja e kolegjit, Arjola Buzi, tha se ishte dakort që të përfaqësonte kauzën, por duhej të merrte leje të eprorët. Pas një dite e bëri të qartë se nuk kishte leje. Në mungesë të përfaqësuesve të tjerë të shkollës, tentuam me alumnit, një dyzinë vajzash të suksesshme, shumica jashtë vendit, në SHBA dhe Europë, që, falë mbështetjes së “Mehmet Akif” ishin marrë nga provincat e tyre për të studiuar në Tiranë, pa asnjë shpenzim për familjet e tyre të varfra dhe sot punojnë në fushën e IT-së apo të tjera, nëpër botë.
Zgjodhëm Ilda Canametin, njërën prej folëseve të zoom meeting në faqen e “Mehmet Akif”. Ajo kishte ardhur nga Londra për të qenë në protestën e djeshme të vajzave të kolegjit përpara Ministrisë së Arsimit dhe kryeministrisë.
Pranoi. Dje në mesditë e refuzoi, sepse ishin ftuar te “Opinion”. Pasdite tha me trishtim dhe zemëratë se “Opinioni” e kishte mbyllur derën për ta dhe i kishte lënë vetëm 10 minuta avokatit të shkollës. Premtoi se do të vinte, bashkë me të tjerë te “Të paekspozuarit”. I thamë se duhen vetëm dy, një në panel dhe tjetri në studion e regjisë. E fiksuam skaletën me emrat e tyre: Ilda Canameti dhe maturantja ëndërrvrarë, Desdemona Lifja, njëra prej atyre dhjetra vajzave që dje, qanë, bërtitën dhe akuzuan qeverinë përgjatë rrugëve në Tiranë.
Një orë përpara emisionit, alumni që kishte ardhur enkas nga Londra për të protestuar në Tiranë, u tërhoq:
-Nuk dua të përzihem në këtë çështje, sepse këta të shkollës janë as mish, as peshk.
Bashkë me të u tërhoq edhe maturantja, duke lënë vendet bosh në emision, ku do të kishin mundësinë që të mbronin kauzën e tyre.
Tani, pak orë pas disa të dhënave, bëhet edhe më e qartë, se “Mehmet Akif”, vërtet mund të ketë pas një prapavijë politike, me influencë nga Turqia e Erdoganit, por në Tiranë, muaj më parë, është bërë një pazar turk mes pronarëve të shkollës dhe një biznesmeni shqiptar.
Ky u fundit, Sinan Idrizi, duke folur mbrëmë në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, për blerjen e godinës së "Mehmet Akif", shkollë turke e cila u mbyll pak ditë më parë nga qeveria, tha se
do të vijojë të investojë në arsim dhe se ka bashkëpunuar me fondacionin turk "Maarif", pranë presidentit turk Erdogan LEXO KETU; se ka blerë godinën e Medresesë në Korçë, në Shkodër ku ia ka shitur një pjesë fondacionit “Maarif”, në Berat, etj; se kalimi i godinës dhe shfrytëzimi i saj, u aprovua nga Bashkia e Tiranës LEXO KETU.
Nga këto dëshmi të personazheve që janë protagonistë të këtij transaksioni financiar, është tashmë e kuptueshme skema: Fondacioni “Gylistan” që kishte kolegjin “Mehmet Akif” te “21 dhjetori”, meqë vitin tjetër i skadonte kontrata e marrjes në përdorim të objektit me bashkinë e Tiranës, ia shiti këtë biznesmenit vlonjat, Sinan Idrizi ashtu siç ka bërë me një rrjet tjetër shkollash dhe medresesh nëpër Shqipëri. Më pas u ndërtua godina e re në Mëzez, e cila është mbyllur sot, sepse ata nuk rinovuan letrat burokratike, vegjë ku u kap qeveria e Shqipërisë ku shkolla është sfera e fundit e investimeve shtetërore, por që mund të përdorej për të sulmuar një fondacion që quhet i lidhur me klerikun Gylen të shpallur armik nga presidenti turk dhe në vend të tij të hapen shkollat e Erdoganit. Pra një pazar turk, si ai që bëhet në Turqi për të blerë një sapun erëmirë, por që kësaj radhe është bërë në Shqipëri, duke shitur mbi 160 vajza të hedhura në rrugë dhe e gjitha kjo histori kutërbon si gropë septike.