AKTUALITET, 24 Qershor 2026, 21:33

Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit në ditën e 25-të të protestës

Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në

Kjo e mërkurë shënon ditën e 25-të të protestave në Tiranë, ku qytetarët, si çdo ditë, u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan në bulevard, duke u pozicionuar përpara godinës së Kryeministrisë.

Pasi qëndruan për rreth dy orë para Kryeministrisë, ku disa prej tyre mbajtën fjalime, protestuesit nisën marshimin e natës në rrugët e kryeqytetit, me pankarta kundër qeverisë në duar.

Thirrjet e tyre vijuan pa ndërprerje gjatë marshimit, ku dominonin, “Rama jepe dorëheqjen”, “Shqipëri etnike”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Revolucion”.

Kujtojmë se në ditën e 23-të të protestës, grupi organizator publikoi pesë kërkesat kryesore të lëvizjes të cilat u rilexuan dhe sot, mes të cilave dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.