AKTUALITET, 24 Qershor 2026, 21:07

Protesta e 25-të në shi/ Qytetarët nuk i ndal as moti i keq: Shqipëri e re! Dorëheqje!

Protesta e 25-të në shi/ Qytetarët nuk i ndal as moti i keq:

Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sot në ditën e 25-të radhazi të protestave kundër qeverisë dhe klasës politike, në një tubim që vijon para godinës së Kryeministrisë, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas nisën marshimin drejt Kryeministrisë, duke vijuar mobilizimin e tyre pas më shumë se tre javësh protestash të pandërprera në kryeqytet.

Pjesëmarrësit gjatë marshimit në rrugët e Tiranës mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta, ndërsa kërkesa kryesore e tyre mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilën e cilësojnë si të panegociueshme. 

Në podiumin e improvizuar para Kryeministrisë kanë mbajtur fjalime disa prej aktivistëve dhe qytetarëve pjesëmarrës. Një prej tyre deklaroi se protestat do të përshkallëzohen nëse, sipas tij, pushtetarët vijojnë të qëndrojnë në institucionet shtetërore përmes korrupsionit.

“Përshkallëzimi i qytetarëve do shkojë deri në bllokimin e institucioneve nëse këta pushtetarë të korruptuar do vazhdojnë t’i uzurpojnë ato”, u shpreh ai gjatë fjalës së tij.

Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj ishte pjesë e folësve të protestës. Ajo tha se qytetarët prej javësh po kërkojnë ndryshim politik dhe një marrëdhënie të re mes shoqërisë dhe shtetit.

Vatnikaj iu përgjigj edhe kritikave ndaj fjalimeve të mbajtura në podium, duke thënë se temat e ngritura lidhen me çështje si korrupsioni, shëndetësia, autokracia, mediat, oligarkia dhe partitë politike.

“Prej më shumë se tre javësh, shoqëria shqiptare ka ndërtuar një artikulim të ri politik, ka ndërtuar një kontratë të re sociale”, deklaroi ajo, duke shtuar se qytetarët po kërkojnë një “Shqipëri të re” dhe se nuk mund të shantazhohen më.

Një tjetër protestues gjatë fjalimit të tij kritikoi mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar protestuesit, duke e cilësuar si “linçim” dhe duke e krahasuar me periudha të së kaluarës. Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke deklaruar se protesta do të vijojë deri në realizimin e qëllimeve të saj.

Pjesë e protestës ishte edhe një soprano shqiptare që jeton prej vitesh në Francë. Ajo u shpreh se kishte qenë së bashku me Edi Ramën në Akademinë e Arteve dhe gjatë fjalës së saj drejtoi kritika ndaj kryeministrit.

“Je një intelektual, ti që flisje dikur ‘mos u vishni si Lenka Çuko’, ke përfunduar më keq se kostumet e Lenka Çukos”, tha ajo gjatë fjalimit.

Protesta vijon prej rreth tre orësh dhe është cilësuar nga organizatorët si kulmi i mobilizimit qytetar pas javësh tubimesh të njëpasnjëshme. Sipas protestuesve, kauza tashmë është zgjeruar përtej kërkesës fillestare, duke përfshirë kundërshtimin ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit të të rinjve nga vendi.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit pritet të vijojnë marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, njësoj si në ditët e tjera të protestave.

Protesta e 25-të në shi/ Qytetarët nuk i ndal as moti i keq: