TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas disa muajsh thatësire dhe temperaturash të larta, Kukësi është përfshirë së fundmi nga reshje shiu. Komisioni i Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës njofton se, pavarësisht reshjeve, qarkullimi në rrugët nacionale dhe rurale vazhdon normalisht.
Rikthimi i reshjeve pritet të ndihmojë në parandalimin e rënies së mëtejshme të nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, i cili prej katër muajsh po përballet me thatësirë të madhe dhe mungesë prurjesh nga burimet kryesore që e furnizojnë me vetëm 30 metra kub ujë.
Pamjet e xhiruara në zonën e Bushatit dhe pranë urës së madhe, afër ish-Uzinës së Bakrit, tregojnë një panoramë të pazakontë. Rezervuari më i madh i kaskadës së Drinit është shndërruar në një shtrirje balte, ku dallohen vetëm vijat e rrjedhjes së Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë.
Dy skajet ujore të liqenit janë kthyer në toka të baltëzuara, duke sjellë ndotje të pjesës së mbetur ujore, e cila po shkon drejt shterimit të plotë.
Thatësira e gjatë ka nxjerrë në sipërfaqe masive shkëmbore dhe truall e rrugë që prej dekadash ishin nën ujë, duke ndryshuar rrënjësisht pamjen e liqenit. Liqeni i Fierzës ka rënë në 17 metra larg pikës së “vdekjes”, nivel ky i regjistruar tre vite më parë.
Sipas të dhënave, niveli aktual i ujit është 257 metra, ndërsa pika optimale është 271 metra, dhe ajo minimale 244 metra. Kuota maksimale arrin në 296 metra.
Kjo diferencë e madhe tregon përmasat e krizës ujore, e cila ka pasoja të ndjeshme edhe në prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentrali i Fierzës, një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit energjetik kombëtar.