AKTUALITET, 26 Tetor 2023, 11:50

“Partizani”, Xama: Prokuroria të vërtetojë kthimin e pronës. Nëse është marrë me ndikim të paligjshëm, ka pastrim parash

“Partizani”, Xama: Prokuroria të vërtetojë kthimin e

Gazetarja Ola Xama, komenton akuzat e SPAK ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi se kanë përfituar 5.4 milionë euro në formën e pagesës në shkëmbim të veprimeve qeveritare në favor të kompanive Homeplan dhe Magnet, bashkëpronari i së cilës Fatmir Bektashi u mor i pandehur për pastrim parash.  

Nga studio e MCN Live, Xama tha se vendimi i gjykatëses paraprake lidhur me provat e dy prokurorëve të çështjes për të dhënë një vendim për masën e kufizimit të lirisë si ndalimi jashtë shtetit për Sali Berishën, investitorin Fatmir Bektashi dhe arrest me burg për Jamarbër Malltezin, vjen pas dyshimeve që krijohen lidhur me kthimin e tokës te ish-klubi sportiv “Partizani”.

Sipas saj, nëse do quhej apo jo aferë, është një pikë nëse kanë qenë familjet, Begeja, Llagami, Vaqari, Alimehmeti dhe Saliaga të shpronësuara nga pushtimi italian për të ndërtuar një aeroport.

Në këtë drejtim shton se nëse këto familje do kishin marrë paratë dhe më pas me lidhjet e tyre duke ndikuar institucione shqiptare, kjo do konsiderohej që në fillim një aferë dhe se kjo është pika e parë që duhet të zbardhet te kjo dosje.

“Shohim edhe shumë dyshime që lidhen me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm. Te dosja shohim një paragraf se janë administruar disa materiale të vendimeve të kthimit të pronave deri në vitin 1999 ku familjet thonë se nuk i kanë marrë shpronësimet.

Kemi dhe një dëshmi të ish-administratorit të ish-klubit sportiv “Partizani”, Isa Tare i cili thotë se familjet janë shpronësuar dhe për këtë gjenden dokumente në Firenze.

Por nga Prokuroria nuk del që të ketë verifikim nëse ka pasur shpronësim të pronarëve të tokës. Regjistrimi i pronave është bërë në AKKP në vitin 2006 dhe ka përfunduar procesi për të pesta familjes në mars 2007 pas disa muajve, me shpejtësi shumë të madhe.

Këtu sërish ligji është pak evaziv. Ka dyshime se është zbatuar ligji apo nuk është zbatuar.

Nëse Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do zvarriste procesin ka dyshime për shpërdorim detyre, nëse e kryen shpejt ka prapë probleme.

Këtu krijohet dyshimi që Prokuroria të regjistrojë një hetim dhe të fillojë të hetojë, por dyshohet se janë marrë në pyetje familjet ish-pronare dhe askush nuk thotë se e kanë dhënë tokën dhe kanë lidhur një akt-marrëveshje me zotin Malltezi që do e kthenim këtë tokë. Janë 64 trashëgimtarë, nga familja Begeja dhe qindra të tjerë nga familjet e tjera.

Askush nga AKKP nuk thotë se e ka pasur porosi nga lartë. Me përjashtim të një drejtoreshe e cila thoshte se drejtuesi i agjencisë së Tiranës është caktuar me porosi të zv.Kryeministrit.

Nuk ka dëshmi tjetër që të thuhet se është vepruar më shpejt me këto dosje dhe aplikime. Prokuroria nuk ka zbardhur nëse familjes i takonte toka apo jo dhe pjesa tjetër më duket pak kërkesë llogarie për shpërdorim detyre se pse ka zbatuar ligjin.

Thuhet që Kryeministri i ka dhënë më shumë kompetencë vetes duke e kaluar AKKP në varësi të vetes. Por kjo është një procedurë shumë e rregullt.

Ne e dimë që politikisht të gjitha institucionet janë në varësi të Kryeministrit.

E vetmja pikë që ngre dyshime është kontrata që i jep të drejtë zotit Malltezi të marrë 3-5% të pronës nga pronarët, për kryerjen e veprimeve, që është tarifa e suksesit.

Konflikti i interesit është se tarifën e suksesit nuk e ka marrë një zyrë që merret me pronat, por dhëndri i Kryeministrit. Këtu është pika që Prokuroria duhet të niste hetimet.

Për 70 vjet toka u shfrytëzua nga shteti. Ata objektet e shtetit i prishën, nuk është se i shfrytëzuan. 80% u pagua me bono privatizimi dhe 20% me kesh.

Nga leximi i procedurave ligjore që të njiheshin letrat me vlerë, mendoj se është politikë e mirë për gjithë ata që kanë punuar në komunizëm dhe janë kompensuar në letrat me vlerë.

Ndryshimi i ligjit për sportin që ka të bëjë me privatizimin e klubit “Partizani”, kur nuk promovohet sporti por bëhet kompleks ndërtimi, ka dyshime bindëse për të hetuar.

Fija për pastrimin e parave dhje akuzat për korrupsion janë më të vështira. Duhet vërtetuar nëse Jamarbër Malltezi, nëse i ka marrë përmes kthimit të pronës, nëse e ka marrë tokën përmes ndikimit të paligjshëm, atëherë kemi të bëjmë me korrupsion.

Që të ketë pastrim parash duhet që Prokuroria të vërtetojë pjesën e kthimit të pronës. Po ta ketë marrë tokën me të drejtë quhet investitor, në të kundërt është pastrim parash.

Zoti Malltezi mund ti ketë 5.4 milionë euro si investitor i ndershëm nga kthimi i pronës, në të kundërt nëse e ka marrë përmes ndikimit të paligjshëm kemi të bëjmë me pastrimin e parave.

Ndërsa kompania ka marrë 1.3 milionë euro kredi për investim,” shpjegoi Ola Xama.