TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 30 qershor ora 10.00 për të zhvilluar seancën e parë në themel për dosjen e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”.
Të pandehur janë marrë pesë persona, ish kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.
Magjistratja Elsa Ulliri, është gjyqtarja që do të shqyrtojë çështjen e kryedemokratit dhe 4 të pandehurve të tjerë.
Elsa Ulliri u zgjodh pas hedhjes së shortit, ndërsa Bib Ndreca dhe Rudina Palloi do të jenë anëtarë të trupës gjykuese.
Ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
Tre të pandehurit e tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan janë në akuzë për pastrim parash.
Sali Berisha do të bëhet i ish zyrtari më i lartë në historinë politike të vendit që do të dalë para një trupe gjykues në përballjen e parë të vërtetë me drejtësisë. Pritet një gjyq i gjatë, me dëshmitarë dhe paraqitje provash, pasi asnjë prej të pandehurve nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Nën akuzë për korrupsion, Sali Berisha do të përgjigjet për aferën e privatizimit të klubit Partizani, për të cilën SPAK thotë se ai shfrytëzoi pushtetin që i jepte pozicioni i Kryeministrit për të pasuruar familjen e tij, përmes dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit do të përballet me drejtësinë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Paralelisht me procesin hetimor SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit. Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri, përmes të cilave Malltezi përfitoi të paktën 5.4 milionë euro.
Dosja 'Partizani', të pandehurit:
1-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin
2-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
3- Fatmir Bektashi - , akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
4- Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim
5- Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k - Akuzohet për 'Pastrim Parash'.
6-Studio Pustina sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
7-Shoqëria Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
8-Shoqëria Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
