AKTUALITET, 16 Nëntor 2025, 14:23

Partia e Lirisë i bashkohet protestës para kryeministrisë, Tedi Blushi: Të ngremë zërin për familjen, ekonominë dhe demokracinë

Partia e Lirisë i bashkohet protestës para kryeministrisë, Tedi

Partia e Lirisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së thirrur nga Sali Berisha që do të zhvillohet nesër në orën 18:00 para kryeministrisë.

Me anë të një postimi në Facebook, sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi thekson se duhet të ngrihet zëri dhe të protestohet për familjen, për ekonominë dhe demokracinë.

Blushi thote se duhet të ngrihemi për të treguar se ‘ky vend ka njerëz të ndershëm dhe patriotë që nuk dorëzohen kurrë!’

“Të hënën, më 17 Nëntor, në orën 18:00, bashkohemi të gjithë në protestë përballë Kryeministrisë!

Për të mbrojtur familjen dhe fëmijët tanë, të cilët sot përballen me ligje çnjerëzore që synojnë të normalizojnë perversitetin, vesin dhe degjenerimin.

Për të mbrojtur ekonominë e familjeve shqiptare, të rënduar çdo ditë e më shumë nga kosto të papërballueshme të jetesës dhe nga hajdutëritë e përditshme të Qeverisë.

Për të mbrojtur demokracinë, e cila po kërcënohet më shumë se kurrë nga një regjim që vepron si armik i lirive dhe të drejtave tona.

Le ta ngremë zërin së bashku! Le të tregojmë se ky vend ka njerëz të ndershëm dhe patriotë që nuk dorëzohen kurrë!

PROTESTO PËR FAMILJEN, PËR EKONOMINË, PËR DEMOKRACINË!”, shkruan Tedi Blushi.