AKTUALITET, 16 Nëntor 2025, 11:30

Mes personave të arrestuar për eksplozivin në Kamëz edhe ish-polici i Operacionales që takoi Ervis Martinajn para se të zhdukej

Mes personave të arrestuar për eksplozivin në Kamëz edhe

Një nga personat e arrestuar lidhur me shpërthimin e tritolit në Kamëz është ish-oficeri i operacioneve, Jeton Jami. Ai ishte më parë i akuzuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohej se kishte shoqëruar Ervis Martinajn para zhdukjes së tij.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se grupi i goditur, i cili dyshohet se vendosi lëndën shpërthyese në biznesin në Kamëz një ditë më parë, ka qenë i përfshirë më parë në raste gjobëvënieje.

Gjithashtu, dy kunetërit ndaj të cilëve u vendos tritoli dyshohet se mund të kenë qenë pjesë e këtij grupi kriminal.

Burimet shtojnë se mund të ketë pasur përplasje mes anëtarëve të grupit, dhe shpërthimi në biznesin e tyre mund të ketë qenë një formë gjobëvënieje, me vlerë rreth 500 mijë euro.

Në kuadër të operacionit të koduar “Motivi” përvec Jeton Lamit u arrestuan edhe Florin Domi dhe Flogert Mezhika.

Policia sqaron se nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S.

Të njëjtat burime sqarojnë se tre të arrestuarit mes të cilëve edhe ish-oficeri Jeton Lami i kishin vendosur gjobë 500 mijë euro pronarit të lokalit, Saimir Sina, i cili jetonte në Itali.

Arsyeja ka qenë pasi ata i kërkonin që lokalin të mos ua linte me qira dy kunetërve Klodjan Muratit dhe Benard Elezit. Dhe për këtë arsye e kishin paralajmëruar se nëse nuk largonte ata nga lokali do të duhet t’u jepte atyre gjobën prej 500 mijë eurosh.

Kush është Jeton Lami

Ish-oficeri i forcave Operacionale, Jeton Lami u lirua nga qelia më 24 nëntor të vitit 2023 pasi u dënua me 2 vite e 10 muaj burgim i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’. Pjesën më të madhe të dënimin e kaloi në paraburgim. Lami është personi i fundit, i cili ka takuar Ervis Martinajn teksa e ka shoqëruar me makinë në Durrës, para se ‘mbreti i lojërave të fatit’ të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë.

Jeton Lami i ka mohuar kategorikisht akuzat për lidhje të tij me zhdukjen e Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022, para hetuesve. Sipas tij, me ish bosin e lojërave të fatit është njohur 10 vite më parë, por e mohon miqësinë e ngushtë. Sa i përket rastit kur ai është kapur teksa shoqëronte Ervis Martinajn, Lami dëshmoi se është takuar me Ervis Martinajn rastësisht në zonën e ‘Zogut të Zi’ në Tiranë tre ditë para se ta shoqëronte për në Durrës. Vetë Martinaj i ka kërkuar ta shoqëronte dhe Lami e ka dërguar në Durrës ku e ka lënë në një hotel me një mikeshën e tij. Ndërkohë që një ditë më vonë ka shkuar në Durrës, e ka marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i ka lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës dhe që nga ky moment nuk ka pasur më kontakte me të.

Lami u kap nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ku ka qenë i shoqëruar me Ervis Martinajn. Për herë të parë hetuesit kanë mundur të zbulojnë se më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.