TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbretëri e Bashkuar - Ish Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, duke folur gjatë një eventi në Londër, ka deklaruar se pretendimet e Trump, të cilat e lidhin përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë me autizmin tek foshnjat, janë "dhunë ndaj së vërtetës".
Obama, i cili po intervistohej nga David Olusoga në O2 Arena, i tha audiencës se pretendimet e Trump për paracetamolin, i njohur ndryshe si Tylenol në SHBA, ishin hedhur poshtë vazhdimisht, ndërkohë që shtoi se përbëjnë rrezik për shëndetin publik.
“Ne kemi spektaklin e pasardhësit tim në Zyrën Ovale, i cili bën pretendime të gjera rreth disa ilaçeve dhe autizmit, që janë hedhur poshtë vazhdimisht. Kjo minon shëndetin publik dhe mund të dëmtojë gratë shtatëzëna. Kjo krijon ankth për prindërit që kanë fëmijë autikë, që në vetëvete është një klasifikim sipas një spektri dhe shumë nga ajo që thuhet se është rritje masive e rasteve, ka të bëjë me thellimin e spektrit dhe kriteret e klasifikimit, në mënyrë që njerëzit të marrin shërbime. E gjithë kjo është dhunë ndaj së vërtetës”, deklaroi Obama, gjatë eventit me 14 mijë pjesëmarrës.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të hënën se marrja e Tylenol-it, i njohur si paracetamol në vende të tjera, “nuk është e mirë” dhe se gratë shtatzëna duhet të “luftojnë me çdo kusht” dhe ta marrin atë vetëm në rastet ekstreme.
Ekspertët mjekësorë e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë pretendim dhe disa që i kanë quajtur komentet e Trump të rrezikshme. Zyrtarët e shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë theksuar se paracetamoli mbetet qetësuesi më i sigurt për gratë shtatzëna.
Ish-presidenti Obama u ndal në një sërë temash të tjera, duke nisur me atë që e përshkroi si një betejë mes dy vizioneve për Amerikën: nga njëra anë vizioni progresist dhe nga ana tjetër vizioni populist, i cili ka fituar terren ndjeshëm vitet e fundit.
Ai foli gjithashtu për përfitimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Në këtë kontekst, ai artikuloi kritika edhe ndaj liberalëve dhe progresistëve, të cilët, sipas tij, shpesh humbasin durimin përballë atyre që mendojnë ndryshe, duke u shfaqur “të vetëkënaqur” apo arrogantë dhe duke nxitur reagime të forta në shoqëri. Ai shtoi se qëndrimet e progresistëve nuk janë testuar ndaj ka qenë e thjeshtë ti deklarosh ato, por tashmë jetojmë në "kohë të vështira" kur këto bindje dhe qëndrime po testohen seriozisht.