AKTUALITET, 29 Mars 2025, 12:55

"Paqe fiskale të negociuar me biznesin"/ Nga energjia te rrugët dhe pagat e mjekëve dhe ushtarakëve, Rama shpalos premtimet e PS për mandatin e katërt

"Paqe fiskale të negociuar me biznesin"/ Nga energjia te

Kryeministri Edi Rama ka bërë sot publik programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar përkushtimin e qeverisë ndaj një sërë reformash inovative.

Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi se qeveria planifikon të implementojë amnisti periodike për gratë dhe të miturit, si një hap për të adresuar problemet sociale dhe ligjore që ata përballen. Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të një instituti të veçantë për të miturit në konflikt me ligjin, i cili do të fokusohet në riedukim dhe riintegrim, në vend të ndëshkimeve të thjeshta me burg.

"Kjo qasje është inspiruar nga modeli i Francës dhe vendeve të tjera, të cilat kanë pasur suksese në trajtimin e këtij problemi", deklaroi Rama.

Ai gjithashtu nënvizoi synimin për të digjitalizuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me qëllim për të përmirësuar efikasitetin dhe transparencën e këtij sistemi për qytetarët. “Dua që transformimi të reflektojë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe të krijojë një sistem më të drejtë,” shtoi ai.

"Paqe fiskale të negociuar me biznesin"

Kryeministri Rama deklaroi se edhe në mandatin e katërt mbetet i pandryshuar regjimi për biznesin e vogël.

Rama theksoi se deri në 2029, Shqipëria do të vazhdojë të jetë, jo vetëm i vetmi vend me zero taksë për biznesin e vogël në rajon, por dhe vendi me nivelin më të ulët absolut të taksave në rajon për të punësuarit, ku 93% e të gjithë atyre që marrin një pagë në Shqipëri paguajnë më pak se 10% nga pagat.

Ai vuri në dukje se “biznesi i vogël vuante një taksim të dyfishtë dhe duke u nisur nga një xhiro prej 55 mijë eurosh paguante 10% taksë, 20 % TVSH, njësoj si biznes i madh, s’kishte asnjë dallim. Një furrë buke paguante sa 15 katëshi, njësoj”.

“Ne jo vetëm zeruam taksën, po dhe e rritëm nga 55 në 140  mijë euro, tavanin e xhiros vjetore që llogaritesh biznes i vogël dhe e hoqëm TVSH për gjithë biznesin e vogël, me një xhiro deri në 100 mijë euro. Ky regjim e kemi premtuar dhe do ta mbajmë edhe në mandatin e katërt do të mbetet i pandryshuar”, tha Rama.

Sa i përket biznesit të madh, Kryeministri Rama tha se i pandryshuar do të mbetet regjimi i taksës 15%, por mandati i katërt do të ketë një risi.

“Në mandatin e katërt ne do të kemi një paqe fiskale të negociuar me biznesin, një instrument i njohur qysh në kohëra shumë të vjetra, të cilën latinët e quanin Pax Fiscalis Cum Negotiis. Më pëlqen shumë kjo ide dhe do t’i propozojmë biznesit, qysh në qershor një marrëveshje paqeje të negociuar fiskale për një periudhë 3-vjeçare, ku 15 % i tatimit do të paguhet mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%.  Kjo është një paqe që nënkupton edhe fundin e çdo lloj inspektimi tek biznesi, të çdo lloj kontrolli dhe të çdo lloj minuti të harxhuar për kontrolle bazuar mbi një marrëveshje paqeje, por kjo do të nxjerrë në dritë edhe shumë të ardhura të padeklaruara për arsyet që i dimë që biznesi nuk i ka deklaruar veç faktikisht hyn edhe tek një sërë borxhesh e historisë që as nuk kanë për t’i paguar kurrë po të duash”, nënvizoi Rama.

Më tej, Rama tha se “kur ne morëm detyrën, Shqipëria eksportonte 2.8 miliardë euro në total. Ne i çuam eksportet në 8.4 miliardë në 2024 ose tre herë më shumë”.

“Në mbështetje të biznesit, gjatë mandatit të katërt do të mobilizojnë mbi 2 miliardë euro ekstra në formën e kredisë dhe garancisë nga dy banka, nga Banka e Shqipërisë, ka filluar mobilizimi 250 milionë euro, një linjë financimi novative që sot mund të aksesohet në bankat e nivelit të dytë me një garanci shtetërore mbi kolateralin 70% dhe me një normë interesi më të ulët se, duke filluar nga më pak se 3% po mund të shkojë edhe më poshtë nga negociimi. Ndërkohë, edhe nga Banka e Zhvillimit, më në fund kemi legjislacionin tonë dhe do të nisi rrugën edhe banka e shumëpritur dhe shumëpërfolur më parë e zhvillimit. Një bankë e ndërtuar bashkarisht me “Cassa Depositi e Prestiti” një nga bankat më të vjetra të zhvillimit në Europë dhe që do të funksionojë me të njëjtin model si ajo bankë në Itali. Ndërkohë që, 1 miliardë euro të tjera do të mobilizohen nga paketa Smart Albania”, nënvizoi Rama.

Falë këtij mobilizimi financiar, Kryeministri vuri në dukje se “ne do të gjenerojmë rreth 8 miliardë euro ekstra në ekonomi, si dhe do të krijojmë deri në 100 mijë mundësi të reja për punë, por më e rëndësishmja për punë të mirëpaguar”.

Rama: Brenda vitit 2030, Shqipëria vend sovran në energji

Duke u ndalur tek energjia, kreu i qeverisë theksoi fillimisht se në vitin 2013, 50% e prodhimit që transmetohej në rrjet, humbiste ose vidhej.

Rama theksoi se Shqipëria po diversifikon burimet e energjisë, duke kaluar nga një sistem i mbështetur kryesisht në energjinë hidrike në një sistem që përfshin gjithashtu energjinë fotovoltaike. Rama tha se 10% e prodhimit të sotëm të Republikës së Shqipërisë është fotovoltaike dhe brenda mandati të katërt synohet të shkohet në 30%.

“Vijmë tek gropa më e madhe ku ne e gjetëm Shqipërinë në 2013, energjia. 50% për qind e prodhimit që transmetohej në rrjet, humbiste, vidhej. Sot jemi në normat pak a shumë të mesatares europiane dhe ajo që është më e rëndësishmja që duhet ta dinë të gjithë, për herë të parë, për herë të parë, qysh se ne kemi marrë detyrën, një qeveri e Shqipërisë ka rritur prodhimin, pra ka rritur burimet dhe ka rritur kapacitetet prodhuese të Shqipërisë.

“Nga një anë, burimet sot nuk janë vetëm hidrike, siç ishin. 10% e prodhimit sotëm të Republikës së Shqipërisë është fotovoltaik, në 2030, duke shkuar 30% dhe në mandatin e katërt, ne do të marrim përfundimisht, përfundimisht, pozicionin e një vendi sovran në energji, nuk do kemi më nevojë të importojmë energji nga askush, përkundrazi, jo vetëm do të kemi për vete, por do të mund t’u eksportojmë të tjerëve”, tha Rama.

Kryeministri kritikoi qeverisjen e kaluar për vendimet që sipas tij kanë dëmtuar sektorin energjetik të Shqipërisë. Rama përmendi dhënien e katër hidrocentraleve të shtetit një kompanie private, një veprim që ai e quajti si “një nga krimet më të mëdha ekonomike”.

Rama foli edhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe reduktimin e humbjeve në rrjet, duke theksuar se vjedhja e energjisë ka rënë drastikisht dhe arkëtimi është bërë më efikas.

“Tani, kur ne morëm detyrën, fuqia e përgjithshme prodhuese, se kjo është shumë e rëndësishme, kjo ishte fuqia e përgjithshme prodhuese e Shqipërisë. Ju kujtohet këneta, ndoshta duke u bazuar edhe te uji vetë, premtonte “Shqipërinë superfuqi energjetike”. Diku ma kapi veshi prapë në një nga ato uuuu-të e bufit. “Superfuqia energjetike” e premtuar ishte kjo, gjithë ajo shifër lart është sekretari i parë i sekretarit, që u bë pastaj kryetari i partisë opozitare. E kishte bërë shoku Enver atë bashkë me diktaturën. “Këneta” shtoi vetëm këtë shifër këtu dhe e shtoi me skemë mbështetëse, pra duke i dhënë lekë kompanisë që ndërtoi dhe prodhimin këneta e rriti vetëm me 241 MWh. Shikoni, sot prodhimi ishte atje kur ne e morëm, pra, shoku Enver me shokun Buf, atje, këtu është rezultati”, u shpreh Rama.

“Pra, dyfish prodhim, 3298 MWh dhe këtu do shkojmë në 2030. Kjo do të jetë Shqipëria sovrane dhe të gjitha këto janë të planifikuara nuk janë ëndrra, janë të gjitha në tavolinat e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës. Dhe ka dhe një gjë tjetër që shoku Buf bëri, që është një nga krimet më të mëdha ekonomike që i janë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga pushtetarët, që katër hidrocentrale ia mori popullit dhe ia dha një privati. Nuk e bën njeri këtë, nuk ndodh kjo asgjëkund. Nuk ndodh, ia mori popullit dhe ia dha një privati dhe pse ia dha? Në këmbim të TVSH, ia hoqi sistemit publik dhe ia dha një privati, pra 50% e prodhimit të shokut Enver, vidhej. Ndërkohë që, sot ne kemi, jo vetëm dyfish prodhim nga çfarë gjetëm nga shoku Enver me shokun Buf, por kemi edhe një rënie drastike të humbjeve në rrjet, ndërkohë që sot vjedhja e energjisë është një gjë shumë e rrallë dhe arkëtimi është i plotë”, u shpreh Rama.

Rama u ndal dhe tek ulja e çmimit të energjisë.

“Çmimi i energjisë nga 1 shkurti, çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë, 1 milion e kusur, u ul me 10,5%. 95% e klientëve familjarë morën ulje të çmimit”, u shpreh Rama.

"Brenda mandatit të katërt do të ndërtohen 700 km rrugë, më 8 maj “pagëzojmë” pistën e aeroportit të Vlorës"

Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u ndal tek infrastruktura që e cilësoi si “një nga kuajt më të fortë të betejës tonë”.

Kreu i qeverisë shpalosi fillimisht progresin në fushën e infrastrukturës gjatë qeverisjes së tij, ku nënvizoi se janë ndërtuar 935 kilometra rrugë kombëtare, mes të cilave 21 kilometra ura dhe 12 kilometra tunele.

“Nga koha kur ne kemi marrë detyrën, kemi ndërtuar 935 kilometra rrugë kombëtare, mes të cilave 21 kilometra ura dhe 12 kilometra tunele, por dua ta theksoj që nga koha kur ne kemi marrë detyrën, kemi vazhduar të punojnë me rrugët e mbetura rrugëve. Këneta e “bufit të kënetës” me daulle kanë hapur shumë kantiere për të fituar vota për të rrokanisur kokën e njerëzve me ato 10 mijë kilometrat fantazmë të rrugëve, por asnjë rrugë të vetme, një të vetme, jo vetëm që nuk e kanë përfunduar, por nuk e kanë financuar, sepse nuk kanë më një problem që një rrugë fillon nga një qeveri, vazhdon nga një qeveri tjetër. Problemi është që nuk e kanë financuar, e kanë hapur me 5 lekë, një rrugë që bën 1 mijë lekë dhe na lanë një gropë të madhe, nga e cila u desh një mandat vetëm që të dilnim nga gropa e infrastrukturës”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se Korridori 8 dhe Korridori Blu do të jenë plotësisht përfunduar brenda mandatit të katërt, ndërsa shtoi se dhe 700 kilometra rrugë të reja do të ndërtohen brenda mandatit të katërt.

“Sot, Korridori 8, Korridori Blu për të cilin na qeshnin kur unë e thashë: është korridori i piktorit. Korridori i piktorit sot është korridor i futur në rrjetin europian, në rrjedhën e korridoreve europiane falë Samitit që bëmë këtu në 2023 me Bashkimin Europian, kemi edhe Korridorin 8, që nuk ishte i futur në rrjedhën e korridoreve europiane dhe faktikisht, qoftë njëri, qoftë tjetri, sot janë kantiere reale, janë kantiere reale me segmente të përfunduara dhe me segmente që janë në punë e sipër, dhe këtu janë të gjithë segmentet dhe të dy korridoret do të jenë plotësisht përfunduar brenda mandatit të katërt, ku do të ndërtojmë edhe 700 kilometra rrugë të reja dhe për të ngacmuar pak publikun, por ndërkohë ju do t’i keni të gjitha këto specifike sipas qarqeve. Rruga e Bregut, Dhërmi-Sarandë, brenda mandatit të katërt do të jetë një rrugë turistike, që do të vazhdojë atë nga tuneli i ri i Llogorasë, deri në Dhërmi, rruga e shumëpritur, e shumëdëshiruar dhe e shumënevojshme”, tha Rama.

“Rruga e shumëpritur Tiranë – Krujë, rruga Berat – Çorovodë do të jetë një rrugë e parametrave dhe standardeve europiane. Ura e Leklit Përmet – Çarshovë, pra do të jenë të lidhura bashkë të gjitha. Ersekë – Leskoviku, Rrëshen Burrelit, Vau i Dejës – Pukë – Fushë-Arrëz, Rruga e Vjetër Tepelenë – Vlorë, Ura mbi lumin Vjosë – Selenicë. Skrapar- Gramsh, Skrapar- Përmet, Gjirokastër- Libohovë, Poliçan- Zagori, pra, siç shihet, ose kryqëzimi i llixhave Elbasan – Gramsh, siç shihet, të gjitha këto segmente janë segmente që tani më nuk bëjnë lidhjen nga pika A tek pika B, por janë A-B-C-D dhe krijohen arterie të brendshme që lehtësojnë shumë lidhjen midis qyteteve tona turistike dhe kur shkohet në Korçë, do mund të shkohet në Përmet e në Gjirokastër pa pasur nevojë që të kthehesh dhe t’i biesh prapë nga Tirana”, nënvizoi Rama.

Duke u ndalur tek projeket për ndërtimin e rrugëve të reja dhe përfundimin e atyre që po ndërtohen aktualisht, Rama theksoi se “brenda 2026 përfundon faza e parë dhe e dytë e superstradës Tiranë-Durrës. Përfundon edhe Kombinat – Ndroq – Plepa. Maqellarë – Peshkopia përfundon këto ditë, Qukës – Qafë Plloçë, Berat – Ballaban përfundon po këtë vit”, tha Rama.

Rama u shpreh se brenda vitit 2025 hyn në funksion Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut.

“Do kalojmë në një nivel tjetër, nuk do kemi më policë nëpër rrugë, nuk do kemi më postblloqe, nuk do kemi më njerëz që dalin nga ferra me uniformë, edhe që thonë “Ndalo”, dhe ti s’di të ndalosh a mos ndalosh, se mund të mos jenë ekzaktësisht ata që thonë që janë. Synimi është që gjithë kjo infrastrukturë të përfundojë. Bindja është që do të përfundojë! Pse? Sepse të gjitha këto që thashë janë të financuara, nuk janë të vizatuara, janë të financuara nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e marra prej WBAF-it, që është Fondi i Ballkanit Perëndimor i Investimeve që mbështeten nga Bashkimi Europian”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë foli gjithashtu edhe për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, duke përfshirë linjat Durrës – Prishtinë dhe Vorë – Han i Hotit, që do të bashkojnë Shqipërinë me Kosovën dhe Malin e Zi.

“Por ne nuk do të lëmë pa bërë atë që është pjesa e shumë munguar e gjithë këtyre viteve. Kemi të gjithë programin e infrastrukturës hekurudhore dhe konkretisht kemi Rrogozhinë -Pogradec, kemi Rrogozhinë – Vlorë. Kemi Durrës – Prishtinë, që është një projekt shumë ambicioz që po punojmë me qeverinë e Kosovës, jemi në fazën e projektit. Kemi Vorë – Hani i Hotit, i financuar, i tenderuar si një projekt, së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kemi Sukth – Porto Romano që është një projekt shumë i rëndësishëm, pa pasur parasysh edhe porti i ri i Durrësit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi po ashtu se “kemi Durrës – Rrogozhinën, po ashtu pjesë e Korridorit 8, Tiranë – Rinas – Durrës, që është në 80% të punës i realizuar dhe falë gjitha këtyre ndërhyrjeve ne praktikisht, jo vetëm me rrugët, por edhe me hekurudhat futemi në rrjetin hekurudhor të rajonit; bashkohemi me Kosovën, bashkohemi me Malin e Zi, bashkohemi me Maqedoninë e Veriut. Ata i kanë trashëguar nga kohë e mëparshme dhe nuk patën një “Liri Demokraci” agresive që iu tha njerëzve: “Merrni hekurudhat dhe përdorni për të bërë gardhe për ndërtimet pa leje, që janë një mrekulli e 8-të e botës”, kështu u tha atëherë”.

Në lidhje me portin e Durrësit, Rama theksoi se ky projekt është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Rama theksoi se porti i ri i Durrësit, që do të financohet nga qeveria shqiptare, do të trefishojë kapacitetin e portit të vjetër dhe do të shërbejë si një pikë kyçe për zhvillimin e tregtisë.

“Këneta thotë që ne kemi bërë krimin e madh të ndërhyrjes dhe të heqjes së portit më të vjetër në botë nga qendra e qytetit. Vetëm një mendje komplet e mbyllur, për të mos thënë e trashë, një mëndje që jeton në një qytetërim tjetër dhe ashtu jeton, mund të thotë që një port tregtar duhet të rrijë mes qytetit. Nëse ka mundësi që ai të spostohet nga mesi i qytetit dhe porti i Durrësit, që ishte në mes të qytetit do duhej spostuar dhe sikur aty të mos bëjë asgjë, thjesht do duhej marrë, ngritur peshë dhe çuar jashtë qytetit, sepse ishte një qendër kanceroze, përveçse një pseudoportë pa asnjë kusht për t’u bërë një portë për Shqipërinë 2030”, tha Rama.

Rama shtoi se porti i ri nuk do të jetë vetëm port tregtar, por do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, porti i NATO-s.

“Porti i ri, gara ndërkombëtare është hapur, së shpejti do të fillojë nga puna, financimi është i qeverisë shqiptare, do të trefishojë kapacitetet ekzistuese, potencialin e Portit të vjetër, por mbi të gjitha do të jetë zemra e një sistemi të ri tregtie, duke krijuar mundësinë e hapjes së dy Porteve të Thata në Prishtinë dhe në Shkup, dhe duke e bërë Shqipërinë një pikë referimi në Mesdhe. Nga ana tjetër, Porti i ri nuk do të jetë vetëm port tregtar, por do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, porti i NATO-s. Jemi shumë afër finalizimit të mbështetjes financiare nga NATO-ja. Pra, me portin ushtarak, Shqipëria rrit në mënyrë eksponenciale sigurinë e vet, duke pasur NATO-n këtu”, tha Rama.

Kryeministri përmendi gjithashtu rritjen e aksesit të shqiptarëve në fluturime, duke thënë se ky akses ka arritur nga 6% në vitin 2013, në 32% sot. Rama nënvizoi se e kanë kthyer Tiranën në aeroportin me rritjen më të lartë në Europë, tre vjet rresht, duke lënë pas Beogradin për numër pasagjerësh.

“Po aksesi i qytetarëve shqiptarë në fluturimet ajrore, e dini sa qytetarë shqiptarë kishin akses në ajër për të shkuar? Flasim për qytetarët këtu, banorë, nuk flasim për shqiptarët në emigracion. Në 2013, aksesi në fluturime ishte 6%, vetëm 6%. Sot, e dini sa qytetarë shqiptarë këtu “ku s’ka bukë për të ngrënë, këtu ku vdesin të gjithë nga uria, këtu ku njerëzit vriten rrugëve, këtu, ku s’ka më njerëz”, kanë marrë avionin? 32%. Pra, kemi rritur aksesin, sepse kemi ulur ndjeshëm çmimin e fluturimeve dhe praktikisht e kemi kthyer Tiranën në aeroportin me rritjen më të lartë në Europë, tre vjet rresht, dhe në ndërkohë kemi lënë pas Beogradin për numër pasagjerësh. Kur ne e morëm detyrën në atë aeroport hynin e dilnin 1,7 milionë pasagjerë në vit. Vitin që lamë pas ishin 11 milionë pasagjerë në Tiranë, në aeroport”, tha Rama.

Në përfundim Rama theksoi se “në 8 maj, shpresojmë do të bëjmë edhe fluturimin e pagëzimit të pistës së aeroportit të Vlorës, ku terminali do të kërkojë edhe ca kohë për shkak të vonesave me furnizimet materiale”.

"Me pasaportën e BE-së, Evropa bëhet sa Shqipëria dhe Shqipëria sa Evropa"

Ndërsa u ndal në fjalën e tij te rëndësia e votës së shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit që mund t’u garantojë atyre një pasaportën evropiane, kryeministri Rama tha se ai dhe forca politike që drejton, mund t’i sigurojë çdo shqiptari e shqiptareje pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030.

“Mesazhi ynë është i qartë: për t’ju dhënë pasaportën e BE-së na duhet jo thjesht një mandat i katërt, por një mandat i fortë, më i fortë se tre mandatet e derisotme. Prandaj, kush e do pasaportën e BE-së duhet të japi kontribut që Shqipëria të hyjë në BE dhe kontributi për Shqipërinë në BE është investimi i votës aty në qendër të fletës së votimi ku është numri 5 dhe ku shkruan Partia Socialiste dhe Edi Rama”, tha Kryeministri.

Sipas Ramës, “askush tjetër nuk i pajis dot shqiptarët me pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade dhe çdo luhatje, çdo ndalesë, konfuzion e bën afatin e 2027 të digjet. Një mijë vajza dhe djem që teksa ne po flasim sot janë në zyra dhe po punojmë për negociatat kanë një kalendar aq të ngjeshur sa çdo javë dy ministret tona, Majlinda dhe Adea, që janë kryenegociatorja dhe zëvendësnegociatorja, ulen përpara palës evropiane dhe japin llogari se çfarë u bë javën e shkuar. Janë çerek milion faqe me legjislacion, rregullore, dokumentacion që duhet absoruar i gjithi, ndërkohë që janë edhe reformat për t’u thelluar që s’mund t’i thellojë dot askush tjetër përvec nesh”.

“Pasaporta evropiane për shqiptarët nuk është vetëm liri hyrje në çdo kufi të BE-së nga ai korridori pa radhë në çdo aeroport, port, në çdo pikë doganore, por është edhe liri qëndrimi në çdo pikë brenda perimetrit të kufirit të BE-së. Nga Varshava në Lisbonë, nga Madridi deri lart në vendet baltike, nga Stokholmi deri poshtë në Athinë. Me pasaportën e BE-së Evropa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Evropa”, vijoi Kryeministri.

Kreu i ekzekutivit renditi të gjitha përfitimet që vijnë për shqiptarët e shqiptaret me marrjen e pasaportës së BE-së, nga e drejta e studimit, te barazia e lirive individuale dhe jo vetëm. “Vajzat edhe djemtë e Shqipërisë do të studiojnë në çdo universitet të Evropës me të njëjtat kushte, tarifa si studentë të barabartë evropianë dhe kjo me tarifa ekstra dhe as përmes kuotave të ngushta si studentë të huaj. Me pasaportën e BE-së çdo shqiptar dhe shqiptare do mund të punojë pa leje pune, kudoqoftë nga Stokholmi në Lisbonë, nga Madridi në Varshavë duke gëzuar të njëjtat të drejta si suedezët në Suedi, si portugezët në Portugali, si spanjollët në Spanjë. Si edhe duke përfituar edhe kartën sociale të BE-së për të përfituar nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të cilitdo shteti ku gjendet i apo e punësuar në BE. Me pasaportën e BE do bëhet shumë me lehtë edhe hyrja pa viza në shumë vende jashtë BE apo edhe punësimi në ato vende me procedura krejt të tjera nga ato që duhen sot për një shqiptar apo shqiptare”, theksoi Kryeministri.

Rama tha se “shqiptarët do të përfitojnë nga të njëjtat standarde të larta të të drejtave individuale para çdo institucioni dhe para çdo gjykate në çdo vend të BE. Askush s’do i trajtojë “hajt mo se janë shqiptarë”, por janë të barabartë mes evropianësh që nga sekonda që zotërojnë pasaportën e BE-së. Çdo shqiptar dhe shqiptare do të itojë të drejtën të votojë, të kandidojë në zgjedhjet lokale, por edhe për Parlamentin Evropian. Edhe Shqipëria do të jetë pjesë e zgjedhjeve evropiane dhe do të ketë përfaqësuesin e saj në qeverinë e BE, me plot djem e vajza në admintratën e Brukselit. Të kandidosh në zgjedhjet lokale jo duke pasur pasaportën italiane, spanjolle apo gjermnae, por duke pasur pasaportën shqiptare, sepse je qytetar i barabartë evropian. Çdo ambasadë e BE të vjen në ndihmë kudo ku ndodhesh, nëse nuk ke pranë një ambasadë shqiptare”.

Kryeministri nënvizoi se 11 maji është një mundësi për ta marrë këtë pasaportë, por njëherësh për t’i dhënë një mesazh të qartë Evropës se shqiptarët janë bashkuar për anëtarësimin dhe pasaportën e BE-së. “Kjo është një mundësi reale historike, një derë e hapur. Anëtarësimi në BE është aty, pasaporta e BE është aty duhet të që në 11 maj shqiptarët të na japin mandatin dhe t’i japin një mesazh shumë të fortë vendeve të BE-së, Brukselit duke vituar masivisht për anëtarësimin në BE dhe pasaportën e BE”, pohoi Rama.

Rama: Programe pas shkolle dhe ushqim për fëmijët, monitorim në shkolla me kamera inteligjente

Rama u ndal edhe tek arsimi, duke u shprehur se numri i laboratorëve inteligjentë në shkolla të shkojë në një mijë nga 340 që janë aktualisht. Rama tha se çdo bashki në qendër dhe qark do të nisë programin e ushqimit në shkolla dhe do të nisë po ashtu një program i ri pas shkollor.

“Kur ne morëm detyrën, shkollat nuk kishin laborator, kishin ca klasa të lodhura me ca kompjuterë që nuk ndizeshin më. Sot kemi laboratorët inteligjentë në 340 shkolla. Brenda mandatit të katërt numri i laboratorëve inteligjentë do të jetë 1 mijë. Nuk do të kemi më asnjë fëmijë në të gjithë perimetrin e Republikës së Shqipërisë, që nuk do të ketë akses në mësimin e teknologjisë digjitale.

Brenda mandatit të katërt, çdo bashki qendër qarku do të nisë programin e ushqimit në shkolla dhe do të nisë po ashtu një program i ri pas shkollor, programi After School, i cili është një hap më tutje mbi bazën e shkollës qendër komunitare, sepse aty ku do të jetë ushqimi, do të jetë edhe mundësia që prindërit të mos shqetësohem për të marrë fëmijët nga shkolla, duke lënë punën, apo për të marrë vesh se ku po shkon fëmija mbasi del nga ora e mësimit. Po do të kemi qartësi për një hark qëndrimi në shkollë që do të zgjasë shumë përtej orës së mësimit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “brenda vitit 2026, shkollat do të mbrohen dhe siguria në shkolla do të garantohet me kamera inteligjente, ndërsa ulja e bullizmit, e mungesave apo e kopjeve në klasë, do të jetë drastike. Është një projekt i përfunduar, është një financim i nënshkruar dhe thjeshtë e vetëm tani është vetëm realizimi i projektit. Mandatin e katërt do të ngrihet shoqëria publike e transportit shkollor, e cila do të kryejë transportin falas të nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas dhe do të mbyllë dhe epokën e parave që jepen për transportin dhe shkojnë në lloj-lloj duarsh, në lloj-lloj kompanish, në lloj-lloj mikrobusësh, në lloj-lloj furgonash”.

Kryeministri u ndal edhe te paga mesatare e mësuesve, e cila është dyfishuar krahasuar me kohën kur Partia Socialiste mori detyrën. “Ishte 420 euro në vitin 2013 dhe sot është 950 euro.

Ndërkohë që në Shqipërinë 2030, mësuesit do të kenë një pagë mesatare 1250 euro. Kur ne morëm detyrën, tekste falas kishte zero. Të gjithë prindërit i blinin librat e fëmijëve dhe nuk po hyj këtu se ç’lloj librash blinin, një xhungël. Sot prej vitesh, 238 mijë nxënës i marrin tekstet e shkollës falas”, nënvizoi Rama.

“Ne kemi ndërtuar 450 shkolla, nga të cilat kanë përfituar 200 mijë nxënës që sot hyjnë dhe dalin në shkolla që nuk kanë asgjë mangut, jo të gjitha shkollave në Bashkimin Europian, por shkollave më të mira në Bashkimin Europian. Në mandatin e katërt, këtij gjerdani do t’i shtohen edhe 200 shkolla të reja. Gjatë mandatit të katërt, do të dyfishohet numri i nxënësve në arsimin profesional.

60 milionë euro janë përcaktuar të investohen në ndërtimin e shkollave profesionale, në instalimin e laboratorëve teknikë dhe në ndërtimin apo rindërtimin e konvikteve të shkollës personale, që do të jenë konvikte shembullore me cilësinë më të mirë për të gjithë nxënësit që do të studiojnë në këto shkolla”, nënvizoi Rama.

Sipas Kryeministrit, objektivi është që në Shqipërinë 2030, 35% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të studiojë në shkolla profesionale.

“Në Shqipërinë 2030 të gjithë nxënësit e arsimit profesional do të kenë një trajtim të posaçëm dhe të gjitha familjeve që janë në periferitë rurale, do t’u jepet mundësia që fëmijët e tyre t’i çojnë në dorë të sistemit publik çohet personale dhe për ta do të kujdeset nga A tek ZH sistemi publik. Kur ne e morëm detyrën, numëroheshin me gishtat e duar palestrat në Republikën e Shqipërisë. Sot kemi 200 palestra të reja në shkollë. E kemi filluar me palestra të kohës kur unë luaja basketboll që numëroheshin me gishtat e duarve në të gjithë Shqipërinë. E kemi filluar me një sistem arsimor, ku ishte zhdukur edukimi fizik dhe ku sporti në shkollë ishte në inekzistent. Lëvizja e re e ekipet sportive në shkolla ka përfshirë mbi 12 mijë fëmijë dhe adoleshentë, duke rilindur frymën e sportit tek brezi më i ri, por dhe duke hedhur bazat e një zhvillimi të qëndrueshëm të sportit kombëtar”, pohoi Rama, ndërsa shtoi se në mandatin e katërt do të shtohet numri i disiplinave sportive dhe do të mbështeten bashkitë që do të ecin në këtë drejtim me përparësi.

“Dhe ne synojmë që të paktën 20 mijë fëmijë dhe adoleshentë të jenë të aktivizuar në të gjithë zinxhirin e ekipeve sportive në shkolla, të paktën. Kur morëm detyrën, arsimi i lartë financohej me më pak se 70 milionë euro. E trefishuam financimin për universitetet dhe sot ato financohen me 200 milionë euro. Deri në fund të mandatit të katërt, ne do të realizojmë edhe investimet e projekteve madhore të Universitetit të Tiranës, Kolegjit të Europës, dhe do të thellojmë ndërkombëtarizimin përmes aleancave të universitetit tonë me ato të BE-së, duke e bërë ofertën akademike edhe më tërheqëse, jo vetëm për studentët vendas, por edhe për studentët europianë. Hyrja në Bashkimin Europian do të ketë edhe këtë impakt të drejtpërdrejtë”, cilësoi Rama.

Mbështetje speciale të gjithë fëmijëve me aftësi të veçanta dhe spektrin autik

Kryeministri Edi Rama tha sot se që nga marrja e mandatit, mbrojtja sociale dhe buxheti i ndihmës ekonomike është trefishuar, ndërsa është katërfishuar buxheti për shërbimet e përkujdesjes sociale.

“Kur ne e morëm detyrën vetëm qyteteve të mëdha ofronin programet mbrojtëse sociale, më shumë se gjysma e bashkive nuk kishin program fare në ndihmë të komunitetit. Sot, programet sociale janë në të gjithë territorin. Ne kemi financuar 84 shërbime të reja sociale nëpërmjet Fondit Social dhe përfituesit nuk janë pak, janë afro 50 mijë njerëz dhe sot fondi social është një mekanizëm modern dhe transformues që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë pa dyshim. Mes shërbimeve sociale janë dhe ato për personat dhe fëmijët me aftësi të ndryshme, për të moshuarit, viktimat e dhunës, e kështu me radhë, dhe ajo që duam të bëjmë është ta zgjerojmë rrjetin e shërbimeve. Kemi dhe 40 shërbime të reja sipas nevojave në territor. Do të rrisim aksesin në programin aktiv të punësimit, duke krijuar 20 ndërmarrje të reja sociale, ku do të punësojmë dhe mbështesim kategoritë në nevojë”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se qeveria socialiste ka dhënë mbështetje speciale, falë edhe Këshillimit Kombëtar, për nënat kryefamiljare me tre fëmijë, por duhet që edhe deri në mandatin e katërt t’i japim një mbështetje speciale të gjithë fëmijëve me aftësi të veçanta. “Duke filluar nga fëmijët që vuajnë nga autizmi dhe të gjithë të tjerët që janë në programet e mbështetjes, por që duke marrë parasysh, se janë fëmijë, duke marrë parasysh se çfarë do të thotë për familjen, meritojnë një mbështetje ekstra, jo thjesht si kategori e përgjithshme personash me aftësi të kufizuar dhe kjo mbështetje do të jetë një mbështetje që do të fillojnë ta marrim qysh janarin e vitit të ardhshëm”, u shpreh Rama.

Rama: Paga e mjekëve do të prekë tavanin e 2000 eurove

Kryeministri u ndal edhe te shëndetësia dhe gjithë transformimi që ka pësuar ky sektor në vendin tonë, nga rritja e pagave për mjekët dhe infermierët, te ndërtimi i spitaleve të reja dhe i plot 400 qendrave shëndetësore.

“Kur morëm detyrën, ne buxheti i shëndetësisë ishte vetëm 250 milionë euro total, sot është 760 milionë euro. Duke përllogaritur dhe buxhetin për mbështetjen sociale, i cili u dyfishua nga 130, në 260 milionë euro, shëndetësia dhe mbrojtja sociale marrin sot, që flasim në 2025, 1 miliard euro nga buxheti i shtetit. Ne kemi ndërtuar ose rindërtuar nga e para, 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca, që nuk ishin më asgjë tjetër përveç hija e vetvetes. Në Shqipërinë 2030 që të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat do të jenë plotësisht të rindërtuara, ato që janë akoma në proces.

Jemi qeveria e parë, shumë e rëndësishme, e parë qysh nga 1990, që kemi ndërtuar spitale të reja dhe nuk kemi ndërtuar 1 e 2,  por 53 spitale, 10 nga të cilat nuk ekzistonin fare, 43 janë shembur komplet dhe janë rindërtuar nga e para. Pa folur për pajisjet që janë totalisht të reja dhe pa folur edhe për uniformat e mjekëve që janë totalisht ndryshe sot nga ç’ishin gjithçka 53. Dhe mjafton të shikoni në çdo qark, duhet ta shikoni historikun e spitaleve, kur janë ndërtuar dhe kur janë investuar për herë të fundit përpara se sa të vinim në një qeveri dhe do shikoni çudira. Spitali i Korçës, që është tani gati lidhja e kontratës, fillimi i punës ka 100 vjet spitale të tjerë në vitet 50, vitet 60, vitet 70”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, “gjatë mandatit të katërt, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila sot është transformuar thelbësisht në 90% do ta bëj hapin tjetër duke krijuar një sinergji me disa nga qendrat më të mira të botës”.

“E kemi nisur me Qendrën Spitalore Universitare SHEBA të Izraelit e rankuara e 9 në botë, që ka marrë drejtimin e Onkologjikut dhe që ka filluar një punë intensive edhe sot që flasim mjekët tanë, një numër i konsiderueshëm mjekësh janë atje në një trajnim intensiv për ta kthyer Onkologjikun nga një vend ku patëm një krizë, e cila na lëndoi të tërëve në një pikë referimi për të qenë krenar. Dhe në ndërkohë jemi në diskutime edhe me dy qendra të tjera dhe parashikojmë shumë shpejt që të kemi partnerët e duhur në mënyrë që Qendra Spitalore Universitare dëgjojeni me vëmendje të jetë pika ku shqiptarët që nisen jashtë vendit për të marrë një shërbim spitalor, mos kenë nevojë, mjafton të shkojnë atje. Dhe të jetë një qendër që në Shqipëri e 2030 do të jetë prestigj ndërkombëtar i Shqipërisë për shërbimin shëndetësor”, nënvizoi Rama.

Ai deklaroi gjatë fjalës së tij, se nga “viti kur qeveria socialiste mori detyrën, çmimet e barnave janë ulur me 30%”. “Sepse ne kemi bërë një politikë, siç qemë zotuar, dhe në atë politikë të heqjes së TVSH-së mbi barnat edhe të disa ndërhyrjeve të tjera, ne kemi realizuar këtë ulje. Dhe nga ana tjetër, ne e kemi dyfishuar fondin për barna të rimbursueshme dhe e kemi shtuar me 200 medikamente listën e barna të rimbursueshme dhe tani, kujt ju thotë se do t’jua thonë në çdo rrugë, do t’jua thonë në çdo rrugë çështjen e pensionistëve në raport me barnat, duhet t’i thoni që janë 210 mijë pensionistë në regjistra, që përfitojnë 100%. 100%, jo 99, barna të rimbursueshme, ndërsa 600 mijë qytetarë që i kemi të bartur në problematikën e madhe të mungesës së sigurimeve, vazhdojnë të marrin shërbimin falas, edhe pse nuk kanë paguar ndër vite sigurime shëndetësore”, pohoi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te paga e mjekëve duke bërë një krahasim të shifrave të rritjes, nga 490 euro që ishte në fillim të marrjes së mandatit te projeksioni për ta çuar në tavanin e 2000 eurove brenda vitit 2030.

“Kur ne morëm detyrën, paga e mjekëve ishte 490 euro, në vitin 2024, kjo është paga e mjekëve mesatarja. Flet vetë apo jo? Ndërkohë, në Shqipërinë 2030 ne duam që paga e mjekëve të shkojë të prekë tavanin 2000 eurove. Vijmë tek paga e infermierëve, edhe ajo 280 euro në 2013, 850 euro sot është trefishi dhe mos harroj në të gjitha këto paga në të gjitha këto paga ka një ndryshim të madh. Sepse nuk kanë të gjitha pagat nën 1 mijë euro. pagat e infermiereve për shembull nuk kanë barrën që kishin. Infermierët në 280 euro, 10% ia jepnin “kënetës”. Infermierët në 850 euro paguajnë më pak sesa 10% nga paga e tyre si tatim. Po urgjenca mjekësore, çfarë urgjence mjekësore kishte Shqipëria kur ne morëm detyrë? Figuronin 100 autoambulanca inventarë, pjesa dërrmuese e 100 autoambulancave faktikisht kishte vite e vite pa lëvizur, ndryshkur, një rrotë dalë anash, një rrotë mbi çati.

Gjatë kësaj periudhe kemi krijuar një flotë me 320 ambulanca të reja totalisht të mirëpajisura, por kemi ngritur edhe një Urgjencë Kombëtare shembullore me standarde evropiane, duke shkurtuar kohën e mbërritjes në jo më shumë se pesëmbëdhjetë minuta dhe gjithë thirrjet përfundojnë menjëherë në veshin e Urgjencës, jo si dikur që ti merrje në telefon dhe ishe gjithmonë i zënë numri, sepse telefoni varej mbi atë kaçurrelin e zi, ndërkohë që ai që duhet ta kapte, gërhiste dhe çdo thirrje, jo vetëm që merret, jo vetëm që merr reagimin, por është e regjistruar dhe është regjistruar po ashtu edhe kur u nis autoambulanca dhe kur arriti”, pohoi Rama.

Ai theksoi se “programi i Check-up, aq sa ka qenë i mallkuar dhe i baltosur nga të mallkuarit që jetojnë në llumin e baltës së kënetës, aq ka qenë dhe i dëshiruar dhe i lëvduar nga gjithë ai popull që ka përfituar dhe kërkesës për të vazhduar ta ofrojmë duke rritur edhe kufirin e moshës për përfituesit, që na vjen shumë nga pensionistët, ne në mandatin e katërt do t’i përgjigjemi pozitivisht”.

"Paga mesatare e ushtrisë shqiptare, në nivelin e mesatares së NATO-s. Në 2028 kampus modern i Akademisë së FA-së"

Rama bëri një përmbledhje të arritjeve të qeverisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë duke theksuar përparimet që janë bërë në këtë sektor.

Rama u shpreh se investimi në fushën e mbrojtjes është dhjetëfishuar krahasuar me vitin 2013.

Rama theksoi gjithashtu se forcat e armatosura janë përmirësuar ndjeshëm, duke e cilësuar ushtrinë shqiptare si më të mirëpaguarën në rajon, me një pagë mesatare që është më e lartë se ajo e çdo vendi tjetër të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë.

Ai theksoi se synimi është që deri në vitin 2030, paga mesatare e ushtrisë shqiptare të arrijë në nivelin e mesatares së ushtrive të NATO-s.

“E kemi dhjetëfishuar investimin në fushën e mbrojtjes. E di sa kishte mbrojtja në 2013? Është e pabesueshme, 28 milionë euro. 28 milionë euro ushtrinë më të keqpaguar në Evropë, përveçse një ushtri e kapur keq, edhe nga korrupsioni, nga shitja e vendeve për të ikur deri edhe në Afganistan”, tha Rama.

“Sot është 280 milionë euro. Pesëfish rekrutime në forcat e armatosura, sot është ushtria më e mirëpaguar e rajonit, me një pagë mesatare, jam shumë krenar për këtë, më të lartë se gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Edhe Serbinë  kemi sapo kaluar me pagat në ushtri dhe synojmë që brenda mandatit të katërt në Shqipërinë 2030, paga mesatare e ushtrisë shqiptare e forcave tona të armatosura të jetë në mesataren e ushtrive të NATO-s. Pa folur pastaj ç’kemi bërë në gjithë ato ferra, në gjithë ato rrënoja, në gjithë ato maskarada që gjetëm në të ashtuquajturin territor të Planit të Përhapjes. Një ferrnajë që sot është bazë ajrore taktike e NATO-s. Një forcë luftimi e lënë rrugëve, sot me fuqi zjarri, me flotë helikopterësh, së shpejti, edhe me një anije luftarake të madhe, përveç anijeve luftarake më të vogla që kemi, me dron luftarak. Të gjitha këto janë vetëm baza, janë vetëm fillimi, janë vetëm fillimi i një transformimi që ka ardhur edhe si shtysë e kohës që jetojmë”, u shpreh Rama.

Kryeministri foli gjithashtu për zhvillimet në industrinë ushtarake të Shqipërisë, duke përmendur investimet për prodhimin e armëve dhe municioneve vendase.

“Industria ushtarake ka filluar të hedhë themelet për të prodhuar këtu municione, armatime, dron luftarakë, mjetet e blinduara Made in Albania së shpejti, të gjitha këto do të mund të tregohen qytetarëve të Republikës Shqipërisë”, tha ai.

Kreu i qeverisë theksoi se “shkollën e aviacionit do ta rilindim”.

“Kemi bërë një marrëveshje mirëkuptimi me një partner shumë të rëndësishëm të fuqishëm ndërkombëtar dhe brenda vitit 2028, do të kemi edhe kampusin modern të Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë, ku ka filluar ndërtimi, një pjesë edhe e kemi treguar për publikun”, tha Rama.

“Flota detare e Republikës së Shqipërisë, siç thashë do të ketë një super anije së shpejti dhe do të bëhet me tre anije luftarake të reja. Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion këtë verë duke filluar nga kjo verë, janë bërë marrëveshjet dy avionë zjarrfikës në dispozicion në gatishmëri për ne, papritur që të vijë nga një vend apo nga një vend tjetër”, theksoi Rama.

Në lidhje me sigurinë rrugore, Rama foli për përmirësimet që janë bërë në këtë sektor. Rama shtoi se numri i vdekjeve në aksidente rrugore është ulur ndjeshëm, edhe pse numri i automjeteve në qarkullim është dyfishuar.

“Punët e brendshme kur morën detyrën, aksidentet fatale në rrugë ishin sa dyfishi i mesatares europiane. Sot jemi më mirë sesa Serbia, se sa Mali i Zi dhe se disa vende të rajonit që janë anëtarë të BE-së si Rumania dhe Bullgaria. Kemi ende punë për të bërë për mesataren e Bashkimit Europian, por jemi shumë më mirë. Fakti është 13 vdekje për 100 mijë banorë kur ne morëm detyrën, sot kemi zbritur në 7 për 100 mijë. Ndonëse numri i automjeteve në qarkullim është më shumë sesa dyfishuar. Dhe rrezikshmëria e vdekjes në aksident është ulur me 75%, çka tregon që kemi një përparim të ndjeshëm në këtë drejtim”, tha Rama.

“Me qendrën e madhe, ku do të jetë edhe cirkuit i Formula 1, po ku në fakt elementi përmbajtësor qendrës do të jetë siguria rrugore, do ta ngrejmë edhe sigurinë rrugore në mesataren e Bashkimit Europian, pa diskutim”, tha Rama.