AKTUALITET, 9 Maj 2025, 18:44

"Orët e fundit të këtij rrugëtimi erdhën"/ PS mbyll sot fushatën, Rama jep mesazhin e fundit para mitingut

"Orët e fundit të këtij rrugëtimi erdhën"/ PS

Kryeministri Edi Rama njoftoi përmbylljen e fushatës zgjedhore në Tiranë, duke theksuar se eventi përmbyllës do të mbahet sot në orën 19:30 dhe do të përfshijë vetëm kandidatët e këtij qarku.

Sipas Ramës, pjesëtarët e tjerë të fushatës kanë qëndruar në qarqet përkatëse për t’u angazhuar me organizimin dhe përgatitjet për ditën e votimit. Ai u shpreh se mbrëmja e sotme do të shërbejë për t’i dhënë një mesazh të fortë gjithë Shqipërisë.

Gjithashtu, Rama përmendi një rritje domethënëse në dërgimin e zarfeve nga qytetarët në ditët e fundit të fushatës, duke e konsideruar këtë një sinjal pozitiv për një pjesëmarrje të lartë në votime.

"Ja dhe orët e fundit të këtij rrugëtimi erdhën, pas pak në 19:30 kemi Tiranën dhe vetëm Tiranën, të gjithë të tjerët kanë qëndruar nëpër qarqet e tyre duke bërë përgatitje e fazëz tjetër të procesit, organizimi, trupat e komisionerëve. Ndërkohë, në 19:30, Tirana do t’i jap mesazhin e fundit të gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ata ndodhen.

Më vjen shumë mirë që ka pasur një lëvizje domethënëse në ditë e fundit nga ana e atyre që i kishin mbetur pa i dërguar zarfat, numrat janë shumë inkurajuese, do shohim si do jetë pjesëmarrja, por pa diskutim që trendi qysh në krye të herës, na tregoi që do kishim një pjesëmarrje shumë të lartë…", tha Rama.