TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

27-vjeçari, i identifikuar si T.Maçi, që grabiti një taksist një ditë më parë, 18 qershor, në Tiranë, rezulton autor i disa vjedhjeve me armë dhe dhunë. I riu u kap pak pas krimit i fshehur në territorin e fshatit Qeha.
Ai arriti që t’i merrte taksisti një shumë parash dhe varësen që mbante në qafë. Policia e Tiranës bën me dije se 27-vjeçari vetëm në muajin qershor ka kryer të paktën 5 vjedhje në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Më datë 5 qershor, në tregun e Fushë-Krujës ai ka vjedhur një shumë eurosh dhe portofolin e një personi. Më 10 qershor, me anë të kërcënimit me thikë, mori në një biznes në Tiranë para dhe një varëse floriri.
Dy ditë më pas, më 12 qershor, nën kërcënimin e një sendi të ngjashëm me armë, vodhi varësen e floririt që mbante pronari i një subjekti në Tiranë si dhe e ka goditur atë me grusht. Më 15 qershor vodhi në fshatin Derven të Fushë Krujës drejtuesit e një taksie duke i marrë nën kërcënimin e thikës një shumë parash, dy celularë dhe një orë dore.
Po ashtu, më datë 17 qershor i ka vjedhur drejtuesit të një taksie në fshatin Shënavlash të Durrësit portofolin, para dhe celularin e tij.
NJOFTIMI I POLICISE:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Taksimetri”.
Operacioni, nga Komisariati Nr. 1, në vijim të veprimeve të kryera në lidhje me kanosjen e djeshme, me mjet prerës, të drejtuesit të një taksie, nga pasagjeri, i cili i vodhi paratë dhe varësen.
Autori u kap dje, menjëherë pas krimit, i fshehur në territorin e fshatit Qeha.
Nga hetimet rezultoi se ai është autor edhe i 5 vjedhjeve me armë/dhunë, kryer gjatë muajit qershor, në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Sekuestrohen varësja e vjedhur dhe 1 celular.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas njoftimit për një vjedhje në një taksi në lëvizje në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, ku pasagjeri kishte kanosur drejtuesin, me mjet prerës, dhe i kishte marrë një shumë parash dhe varësen që mbante në qafë, u mundësua ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit T. M., 27 vjeç, i cili u lokalizua në fshatin Qeha, në afërsi të zonës ku kishte kryer krimin.
Më tej, në kuadër të operacionit të koduar “Taksimetri”, u kryen hetime të thelluara, me objektiv dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Nga hetimet dyshohet se 27-vjeçari:
-më datë 05.06.2026, në tregun e Fushë Krujës, ka vjedhur një shumë eurosh, në portofolin e një shtetasi;
-më datë 10.06.2026, në një biznes në rrugën “Llazi Miho”, Tiranë, nëpërmjet kanosjes me mjet prerës, ka vjedhur një shumë parash dhe një varëse floriri;
-më datë 12.06.2026, nëpërmjet kanosjes me një send të ngjashëm me armë zjarri, ka vjedhur varësen e floririt që mbante pronari i një subjekti në rrugën “Skënder Kosturi”, Tiranë, dhe e ka goditur me grusht, këtë shtetas;
-më datë 15.06.2026, në fshatin Derven, Fushë Krujë, dyshohet se nëpërmjet kanosjes me mjet prerës, i ka vjedhur drejtuesit të një taksie, një shumë parash, 2celularë dhe 1 orë dore;
-më datë 17.06.2026, në fshatin Shënavlash, Durrës, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë, drejtuesit të një taksie, portofolin me para, si dhe celularin.
Hetimi vijon për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të shtetasit T. M., në fushën e vjedhjes së pronës/pasurisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.