AKTUALITET, 8 Nëntor 2025, 12:29

Lulzim Berishës i vdes i ati/ Truri i “Bandës së Durrësit” lë qelinë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore

Lulzim Berishës i vdes i ati/ Truri i “Bandës së

Drejtoria e Përgjithshmë e Burgjeve i ka dhënë leje Lulzim Berishës që të marrë pjesë në varrimin e babait. Ish-kreu i Bandës së Durrësit do të dalë në orën 12:00 nga qelitë e paraburgimit në mënyrë që ai të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit dhe më pas të rikthehet sërish në qeli. Berisha do të shoqërohet nga forca policore dhe në masa të rrepta sigurie.

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend. Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Lulzim Berisha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para afatit nga trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës. 4 vite më pas, Berisha është shpallur në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet për ngjarje të tjera kriminale, vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. 

Dosja për vrasjen e bujshme të ndodhur në 26 Shkurt të vitit 2005 u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili pretendon se gjithçka u bë nga Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës. Lulzim Berisha "ra" edhe në sitën e OFL, e cila njoftoi se ai është subjekt i paketës Anti-KCK dhe se i është dërguar formulari i deklarimit të pasurisë dhe burimin e origjinës.

Në tetor 2024 Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishajt, të cilët akuzohen për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame. Vendimi për pushimin e çështjes u dha me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Kjo është hera e dytë që SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ka prova që implikojnë këta dy persona në vrasjen e Lames. Herën e parë, trupa e gjykimit ia ktheu kërkesën prokurores Elida Kaçkini, duke kërkuar nga kjo e fundit hetime shtesë.