AKTUALITET, 15 Janar 2024, 18:54

“Nxiti përçarjen”, Bardhi pas deklaratës së Begajt: Qëndrimi i tij, mesazh i dëmshëm për normalizimin e parlamentarizmit

“Nxiti përçarjen”, Bardhi pas deklaratës së

Pas deklaratës së Presidentit Bajram Begaj, vjen reagimi nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi. Ky i fundit thekson se qëndrimi publik i Begajt është “mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare”.

Bardhi u shpreh se Presidenti përdori një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.

Ai shtoi se grupi i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizmin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë, edhe nëse Kreu i Shtetit ka vendosur t’ia dorëzojë kopjen e tij të Kushtetutës kryeministrit Rama.

Reagimi i plotë:

Qëndrimi publik i Presidentit të Republikës është mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare. Ashtu siç pritej, Kreu i Shtetit nuk u ngrit dot në rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, por me një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.

Duke e konsideruar këtë një akt antidemokratik dhe një sulm të pashembullt të Presidentit të Republikës ndaj opozitës, e siguroj që Grupi Parlamentar i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizmin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë, edhe nëse Kreu i Shtetit ka vendosur tia dorëzojë kopjen e tij të Kushtetutës kryeministrit Edi Rama!