AKTUALITET, 3 Shtator 2025, 09:41

Njësoj si Berisha/ Hidhet shorti, Irena Gjoka caktohet si gjyqtare për seancën paraprake të dosjes 'Meta'

Njësoj si Berisha/ Hidhet shorti, Irena Gjoka caktohet si gjyqtare për

Njësoj si Berisha. Irena Gjoka do të jetë gjyqtarja e seancës paraprake për dosjen Meta, e cila kaloi në GJKKO më 29 gusht.


SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Dosja Meta përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Gjoka ka qenë edhe gjyqtarja e hetimit paraprak për dosjen e aferës Partizani, e cila ka caktuar po ashtu masat e sigurisë për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, tashmë të pandehur. Gjoka ka qenë gjithashtu objekt i sulmeve të vazhdueshme të Berishës, duke e cilësuar si delinkuente dhe kriminele.  

Ish-Presidenti Ilir Meta akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në 2 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Kurse mamaja e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.