TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ishte i ftuar Agron Shehaj, deputet i pavarur që mblodhi të shtunën e kaluar konventën themeluese të lëvizjes së re politike të quajtur “Mundësia”. Në fillim të fjalës së tij Shehaj tha se nuk donte të fliste për PD-në që e la disa muaj më parë, por analisti Neritan Sejamini replikoi duke i kujtuar se një partie e re supozohet të distancohet nga e keqja. Ndërsa Shehaj tha se pasi ka bërë një pjesë të rrugëtimit politik në PD nuk do t’i godasë sapo të dalë nga dera.
Pjesë nga biseda
Neritan Sejamini: Nëse një parti është autokratike, edhe kur është në opozitë kritikohet, jo vetmë kur është në pushtet. Nëse një parti nuk është distancuar nga korrupsioni edhe kur është në opozitë, kritikohet. Kritikohet mungesa e konkurencës, mënyra se si menaxhohen financat partiake. Një parti e re supozohet të distancohet nga e keqja, pavarësisht ngjyrave.
Agron Shehaj: Nuk kam thënë se opozita është perfekte dhe nuk ka probleme. Këtë mënyrë të të kapurit të shtetit nuk e ka sjellë Rama. Ai e mori nga një nivel dhe e çoi në një nivel tjetër. Unë kam qenë brenda PD-së dhe kam vepruar me akte, jo me fjalë. Veprova kundër Lulzim Bashës, dola kandidat kundër tij, kundër të gjithëve. Unë kështu e mendoj, që një njeri në vend që të flasë kot, del dhe thotë: Unë kam alternativën time. Më votoni! Këtë bëra kur dola kundër Bashës. Nuk isha dakord, dola nga PD-ja. Çfarë duhet të bëj? Të flas për Sali Berishën? Nuk është e bukur që pasi ke qëndruar brenda një partie, kam bërë rrugëtim me ata. Unë e dija që ajo nuk ishte perfekte, se partitë kështu janë. Unë hyra atje për të dhënë kontributin tim, që ajo të ishte më e mirë.
Bëra sa munda, por dola në pikën që nuk ia vlente më, por unë kam bërë një pjesë të rrugëtimit tim politik aty dhe nuk mund të bëj sikur s’ka ndodhur gjë dhe t’i godas sapo të dal nga dera. Unë kështu e shoh.
Unë nuk jam i barazlarguar si nga Rama dhe nga Berisha. Jam votues i qendrës së djathtë, familjarisht , jam i bindur në vlerat e qendrës së djathtë, mendoj që e majta ka një qasje tjetër, një parti që vjen nga Partia e Punës dhe thjesht ka ndryshuar dhe ashtu siç komandonte një grup njerëzish në regjimin komunist, bën të njëjtën gjë. Dje kishin pushtetin politik, sot kanë pushtetin ekonomik.