TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Agron Shehaj ka krijuar një parti të re politike të quajtur "Mundësia".
Ai ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, për të folur për nismën e tij të re. Gjatë emisionit ka patur një debat me Ylli Rakipin lidhur me faktin që Shehaj nuk e denoncon Sali Berishën, njëlloj siç bën me Ramën, ndërkohë që janë përgjgjës për sistemin e krijuar në Shqipëri në 30 vite.
Shehaj tha se ka një hierarki të përgjegjësive dhe nuk do të godasë opozitën.
Pjesë nga debati
Ylli Rakipi: Ti e kishe mbushur plotë atë Pallatin e Kongreseve, dolën edhe fjalë që Agroni ka marrë edhe punonjësit aty... Tani si qëndron puna? Pse e ke krijuar këtë forcë? Deri tani forcat e reja që janë krijuar, kanë dështuar. Pse e krijove ti "Mundësinë"?
Agron Shehaj: Pesimizmi yt shpresoj të mos jetë ngjitës. E kuptoj dyshimin, di të them, njerëzimi ka ecur nëpërmjet dështimit. Kështu ka ardhur zhvillimi në çdo fushë, në cdo shoqëri. Edhe ne në jetën e përditshme. Edhe fëmijët kur ngrihen në këmbë, bien, bëjnë disa hapa, bien. Kështu vijnë gjërat e reja. Fillon dikush dështon, pastaj vjen një tjetër. Një ditë do të vijë ndryshimi. Vërtet mendoni se do të kemi gjithmonë dy parti politike në Shqipëri?Çështja është, në këto debatet që kemi bërë bashkë dhe në debate të tjera, kam dëgjuar vazhdimisht pakënaqësinë me partitë aktuale. Ky debat gjithmonë, sa të këqinj, sa të shitur, sa të paaftë. Tani, kur dikush merr guximin, mund të jetë edhe ide e çmendur, mbase nuk sheh pengesat që ju shikoni dhe merr iniciativën, direkt, thoni 30 vjet nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur. Nuk jam dakord me këtë qasje.
Ylli Rakipi: Të ndalemi pak te e shkuara. Ishe në PD, pse u largove nga aty dhe çfarë nuk shkonte?
Agron Shehaj: Në PD jam përpjekur të bëj detyrën time si deputet. Një përfaqsues ka dy detyra, të denoncojë dhe të thotë të vërtetën, unë e kam bërë këtë. Nga ana tjetër, duhet të flasë për të ardhmen dhe të jetë i besueshme. Arrita në një pikë që nuk mendoja se isha i besueshëm për të vazhduar. Mendova se nuk ja vlente më, sepse nuk isha mjaftueshëm i besueshëm për të folur për të ardhmen, sepse PD duhet të rinovohej dhe të ndryshonte gjuhën, duke u hapur, cështje për të cilat kam folur. Arrita deri në pikën që kandidova për kryetar, pashë që nuk po ndryshonte asgjë dhe nuk ja vlente më.
Ylli Rakipi: Këtë sistem e ka bërë Sali Berisha dhe Edi Rama. Po nëse ti nuk thua që këtë sistem e ka bërë edhe Sali Berisha, nuk thua të vërtetën. Nëse thua që nuk shaj opozitën, nuk e kuptoj. Unë ndoshta gaboj dhe ti ke të drejtë. Këtë dilemë e kisha unë.
Agron Shehaj: Ti je mësuar me partitë e tjera, që 90% të kohës e kanë impenjuar në sharje dhe sulme ndaj partisë nga e cila kanë dalë. Dhe unë kam vendosur të mos e bëj këtë. Unë po them, është fakt që partitë që kanë lindur, janë marrë me liderët e partive ndaj të cilave kanë dalë. Unë kam vendosur të mos merrem.
Ylli Rakipi: Unë nuk e kuptoj këtë.
Agron Shehaj: Kjo nuk do të thotë që nuk jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë e Sali Berishës kur ishte në pushtet. E di që korrupsioni dhe oligarkët nuk lindën me Ramën. Por di gjithashtu se kemi një kryeministër që qeveris prej 11 vitesh. Di gjithashtu që kur Sali Berisha kur ka qenë President dhe Kryeministër ka bërë gabime. E mori Edi Rama dhe e çoi në një nivel tjetër.
Unë në argumentat e mia kam vendosur të merrem me pushtetin dhe jo me opozitën. Ka plotë që merren me opozitën, madje sulmet që vijnë për opozitën nuk janë rastësi. Besoj që nëse jemi dakord mbi faktin që Rama ka ngritur një sistem që zgjedhjet i ka kthyer në formalitet, i ka bërë sepse ka sulmuar opozitën, ka përdorur kontrollin dhe ndikimin që ka në media, ka përdorur edhe element të opozitës. Ky është i vetmi vend në botë, që mendon se faji dhe përgjegjësia është te opozita. Imagjinoni sikur të vinte dikush nga jashtë, nga Japonia dhe të marrë vesh që ky është vend i varfër dhe i korruptuar dhe ne ti themi që opozita është e korruptuar.
Ylli Rakipi: Po ti paske ikur kot nga andej.
Neritan Sejamini: Mund të jetë e gjithë klasa politike problematike. Edhe opozita që nuk rinovohet, i bën keq.
Agron Shehaj: Po them se ka një nivel përgjegjësish. Është fillimisht te qeveria që ka marrë mandatin.
Ylli Rakipi: Po ti po mbron opozitën, pse ike o vëlla? Se rrije atje dhe e bëje copa Edi Ramën.
Agron Shehaj: Ju thatë që nuk më votoni nëse nuk merrem me Berishën.
Ylli Rakipi: Jo thashë nuk të votoj nëse nuk merresh me Edi Ramën dhe me Sali Berishën.
Agron Shehaj: Më vjen keq, por nuk zhvendosem nga fokusi dhe bindja ime.