AKTUALITET, 30 Prill 2025, 22:54

Nisi si një flirt me një 32-vjeçare, si ndodhi pengmarrja e 68-vjeçarit në Tiranë, detajet 

Nisi si një flirt me një 32-vjeçare, si ndodhi pengmarrja e

Nisi si një flirt mes një 68-vjeçari dhe një 32-vjeçare, por përfundoi në një pengmarrje, ku për jetën e burrit, rrëmbyesit kërkuan 2 milionë lekë për ta lënë të lirë. Gjithçka ndodhi në zemër të Tiranës, në rrugën “George W. Bush”.

Një 68-vjeçar, i identifikuar si E.A, është rrëmbyer në mes të ditës nga pesë persona, të cilët e morën me forcë në makinë dhe e mbajtën peng për disa orë, për ta liruar vetëm pasi morën një shumë të konsiderueshme parash nga bashkëshortja e tij.

Ngjarja nisi me një përplasje verbale në rrugë, pasi njëri prej rrëmbyesve, S.S, 31 vjeç, pretendoi se 68-vjeçari kishte ngacmuar të fejuarën e tij, 32 vjeçe. Pavarësisht mohimeve të të moshuarit, përplasja u përshkallëzua dhe shndërrohet në një skemë të mirëorganizuar rrëmbimi.

Së bashku me vëllain e tij dhe bashkëpunëtorin I.M, autorët e futën me forcë në makinë dhe e transportuan drejt fshatit Kakunjë, ku e izoluan në një banesë të braktisur për plot pesë orë. Aty nuk e dhunuan fizikisht, por e lidhën dhe i ushtruan presion psikologjik, ndërsa kontaktuan bashkëshorten e tij për të kërkuar shpërblimin.

Shuma prej 2 milionë lekësh të rinj iu kërkua gruas së pensionistit nën kërcënimin se burri i saj nuk do të dilte gjallë nëse nuk paguante. Ajo pranoi të dorëzonte shumën në një takim të organizuar në zonën e Saukut, ku paratë iu dorëzuan B.I, 57 vjeç, një nga anëtarët e grupit.

Ndërkohë, policia kishte marrë sinjalin dhe në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës, organizoi një operacion të menjëhershëm të koduar “Imediat”, i cili përfundoi me sukses. Brenda disa orësh, të pesë autorët u identifikuan, u ndoqën dhe u arrestuan. Në pranga ra dhe molla e sherrit për të cilën dyshohet se u iniciua gjithçka. Pamjet e kamerave të sigurisë në rrugën “George W. Bush” ishin thelbësore për zbardhjen e ngjarjes.

Gjatë kontrolleve në banesat dhe automjetin e përdorur nga autorët, policia gjeti dhe sekuestroi 1 746 000 lekë nga shuma e marrë përmes shantazhit, si dhe litarin me të cilin ishte lidhur viktima.