AKTUALITET, 31 Janar 2026, 13:07

Nis eksporti i luleshtrydhes, 6000 arka nga rajoni i Fierit drejt tregut europian

Nis eksporti i luleshtrydhes, 6000 arka nga rajoni i Fierit drejt tregut

Fermerët në qarkun e Fierit kanë nisur eksportet e luleshtrydhes, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të rajonit si qendër e prodhimit dhe tregtimit të këtij fruti.

Në vitin 2010-2011, Shqipëria importonte rreth 90% të luleshtrydhes për nevojat e brendshme, ndërsa sot prodhimet vendase jo vetëm që plotësojnë kërkesat e tregut vendas, por po rriten edhe eksportet drejt tregjeve europiane.

Ky është një ndryshim i madh përsa i takon prodhimit dhe rritjes së eksportit të luleshtrydhes, ku pjesë kryesore e këtij potenciali të rëndësëshëm që kanë krijuar fermerët në bashkinë e Fierit është edhe kompania “Agroplant”.

Nga kompania Agroplant e Olsi Hamataj në Kafaraj, 6,000 arka luleshtrydhe u nisën drejt tregut europian brenda një dite. Ngarkesa e parë shkon për në Gjermani, ndërsa ditën e nesërme do të dërgohet një tjetër ngarkesë drejt Italisë. Olsi tregon se, “ky sukses është rezultat i punës së mbi 100 familjeve punëtore, duke dëshmuar cilësinë dhe vlerën e prodhimeve bio shqiptare”.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau në rrjetet sociale momente nga vjelja e luleshtrydheve në serrat e kompanisë dhe përgatitja e tyre për eksport, duke theksuar mbështetjen e qeverisë përmes politikave efikase dhe financimeve të drejtpërdrejta për fermerët dhe sektorin bujqësor.

Në një takim të zhvilluar një ditë më parë me fermerë në Divjakë, Balluku nënvizoi rëndësinë e investimeve dhe skemave mbështetëse që synojnë rritjen e prodhimit, modernizimin e praktikave bujqësore dhe konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

Eksportet e luleshtrydhes nga rajoni i Fierit janë një dëshmi e qartë e transformimit të sektorit bujqësor shqiptar, duke e kthyer vendin nga importues në një aktor të besueshëm dhe konkurrent në tregun europian, dhe duke nxjerrë në pah potencialin e prodhimeve bio shqiptare.

Fshati Kafaraj në Fier është zona më e madhe ku kultivohen kryesisht në serra luleshtrydhet dhe sipërfaqet e mbjella me to arrijnë në mbi 200 ha. Gjatë sezonit, prodhimi arrin mbi 7 500 ton, nga të cilat rreth 50% eksportohen në tregjet europiane si Itali, Rumani, Poloni, Bosnjë, Çeki, Serbi.