AKTUALITET, 13 Qershor 2025, 12:59

Ngërçi politik/ Kosova ende pa qeveri 4 muaj pas zgjedhjeve, dështon edhe seanca e 31-të për konstituimin e Kuvendit

Ngërçi politik/ Kosova ende pa qeveri 4 muaj pas zgjedhjeve,

Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.

Sikur edhe në vazhdimet e kaluara të seancës konstituive e cila nisi më 15 prill, deputetët u mblodhën shkurtimisht të premten dhe nuk gjetën zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit.

Kjo ishte hera e 31-të që ata mblidhen dhe dështojnë, dhe do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të dielën e 15 qershorit.

Në këtë situatë të tensionuar, Lidhja Demokratike e Kosovës prezantoi një agjendë 15-pikëshe për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar, por propozimi u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në qendër të bllokimit qëndron kandidatura e Albulena Haxhiut nga Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, e cila nuk ka arritur të sigurojë shumicën prej 61 votash të nevojshme dhe konsiderohet e papranueshme nga partitë e tjera parlamentare.

Po ashtu, është ngritur edhe çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit nga votimi i hapur në votim të fshehtë, e cila është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që disa parti kanë kërkuar pezullimin e seancave deri në vendimin përfundimtar.

Duke parë bllokimin e vazhdueshëm, Vetëvendosje ka propozuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale në tetor, një ide që po diskutohet mes partive, por që shkakton kundërshti dhe ndarje në skenën politike.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur shqetësimin se vonesat në konstituimin e Kuvendit po dëmtojnë kredibilitetin e institucioneve dhe pengojnë progresin euroatlantik të Kosovës.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti formimin e shpejtë të institucioneve për të siguruar stabilitet dhe mirëqenie për qytetarët.