AKTUALITET, 18 Janar 2022, 22:12

Nga legalizimi i kanabisit tek amnistia për paratë e emigrantëve, Rama pyet shqiptarët për 12 çështje

Nga legalizimi i kanabisit tek amnistia për paratë e emigrantëve,

Edi Rama ka nisur një eksperiment tjetër si një përpjekje për të përfshirë qytetarët në vendimarrje dhe në një kohë kur gjithnjë e më shumë po konsolidohet ideja se jetojmë në regjimin e një njeriu parti-shtet. Qeveria ka hartuar një pyetësor për 12 çështje, për të cilat kërkon mendimin e shqiptarëve. Çdo person mbi moshën 18 vjeç ka të drejtën të zgjedhë një nga tre alternativat që gjenden në formular.

Në mesin e pyetjeve për qytetarët ka çështje si a duhet bërë diferencim për nënat që rrisin tre ose më shumë fëmijë të mitur në përfitimin e mbrojtje të veçantë sociale nga shteti.

“Ka njerëz që thonë se nënat që rrisin tre ose më shumë fëmijë të mitur duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantësociale nga shteti. Të tjerë thonë se shteti nuk duhet të bëjë diferencime as në këtë rast. Si mendoni ju?” – pyetet në formular.

Po ashtu, Rama pyet shqiptarët nëse Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit si dhe a duhet dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.

“Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, duke e dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve. Të tjerë thonë se dënimet në fuqi janë të mjaftueshme për përsëritësit dhe dhunuesit ndaj familjes e fëmijëve. Cili është mendimi juaj?” – pyetet në formular.

Nuk lihet jashtë vëmendjes as pagat, ku formulari përmban pyetje që lidhen me denoncuesit e pagave fiktive dhe nëse këta persona duhet të mbrohen ata nga shteti si dhe a duhet të vijojnë të punojnë ata që kanë marrës statusin e pensionistit.

“Ka njerëz që thonë se të punësuarit, që denoncojnë metoda të pagave fiktive nga punëdhënësi, duhet të mbrohen nga shteti me dëmshpërblim financiar në rast largimi të padrejtë nga puna kur denoncimi i tyre vërtetohet, ndërsa punëdhënësi në fjalë duhet penalizuar me ashpërsim të masave në fuqi. Të tjerë thonë që masat në fuqi ndaj punëdhënsve që abuzojnë me pagat e punonjësve janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?”

Çështje të tjera që pyeten në formular janë ajo e amnistia e parave të fituara në emigracion, lejimi kultivimit, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak, detyrim vendosja e certifikatës së vaksinimit në ambientet publike, shtimi gjobave ndaj evazorëve fiskal, shtim ndëshkimi ndotësve të mjedisit, pezullim të gjyqtarëve dhe prokurorëve nëse vendosin haptas në kundërshtim me ligjin çështjet në pyetësor.