AKTUALITET, 9 Shkurt 2023, 13:41

Sulmi me armë ndaj gazetarëve të "Fiks Fare" në Nikël, reagon AMA: Rast i rëndë, autoritetet të hetojnë!

Sulmi me armë ndaj gazetarëve të "Fiks Fare" në

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar dhe dënuar rëndë dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve të Fiks Fares, të cilët ishin duke xhiruar pamjet nga gërryerja e paligjshme që po ndodhte në lumin Zezë të Niklës, në qarkun e Durrësit.

Përmes një reagimi zyrtar, AMA dënon ushtrimin e dhunës fizike dhe verbale të reporteres dhe kameramanit. Sipas tyre, ngjarja e cila ndodhi në një pronë publike buzë lumit, ishte akt i papranueshëm dhe goditës për lirinë e fjalës.

AMA kërkon hetim të detajuar të këtij rasti si dhe nxit autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe kërkon që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

Reagimi i AMA-s:

“Pamjet e transmetuara të mërkurën në mbrëmje (08.02.2023), në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, janë shumë shqetësuese për lirinë e ushtrimit të profesionit nga një grup xhirimi që hetonte një rast paligjshmërie në afërsi të Niklës në qarkun e Durrësit. 

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA dënon ashpër ushtrimin e dhunës verbale dhe fizike që shkoi deri dhe përdorimin e armës së zjarrit për frikësimin e reporteres dhe kameramanit, si akte të papranueshme dhe goditëse për lirinë e fjalës. Aq më tepër që ngjarja ndodhi në një pronë publike, buzë lumit, ku një grup personash kryenin aktivitet të paligjshëm me pretendimin se ishin në “pronën” e tyre.

AMA pret me padurim hetimin e detajizuar të këtij rasti të rëndë, duke nxitur autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë”-thuhet në reagimin e AMA-s.