AKTUALITET, 9 Dhjetor 2023, 17:33

Nga hoteleri-turizmi te termohidraulika, cilat janë degët më të kërkuara profesionale?

Nga hoteleri-turizmi te termohidraulika, cilat janë degët më

Politika e qeverisë po orientohet çdo ditë e më shumë drejt marketimit të arsimit profesional, me qëllim përmbushjen e kërkesave që kanë bizneset për fuqinë punëtore. Referuar të dhënave të Agjencisë kombëtare për Punësim dhe Aftësi, në shkollat e mesme të arsimit profesional rezultonin 15,042 nxënës të regjistruar për vitin shkollor 2022-2023.  Numri i të regjistruarve në arsimin profesional është më i lartë në rajonet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër përkatësisht 36%, 14%, 10% dhe 9% të totalit.

Por cilat janë zanatet më të preferuara?

Drejtimet me numrin më të lartë të nxënësve të  regjistruar janë Hoteleri- Turizëm, Shërbime Mjetesh Transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi,  Elektroteknikë, Ekonomi- Biznes dhe Termohidraulikë.  Këto drejtime  ndiqen nga 74% e nxënësve të regjistruar në Arsimin Profesional.

Ndërsa profilet më të frekuentuara rezultojnë Shërbime Elektroauto, Kuzhinë-Pastiçeri, Shërbime Mjetesh Transporti, Rrjete të Dhënash (pilot GIZ), Llogari, Tregti, Instalime Elektrike, Programim dhe Mbështetje e Përdoruesve të TIK, të cilat ndiqen nga 42% e nxënësve të profilizuar.

Me qëllim rritjen e pjesëmarrjes në arsimin profesional AKPA inicioi ndryshimet në VKM-në e bursave në funksion të rritjes së masës dhe kategorive përfituese. Sipas vendimit, përfitojnë bursë: vajzat, nxënësit që janë me statusin e jetimit, të regjistruarit në drejtimet parësore, rom/egjiptianët, nxënës nga familjet me ndihmë ekonomike etj. Prej Totalit të nxënësve të regjistruar në AP, rezulton se 4,237 ose 28% prej tyre përfitojnë bursë. Rreth 88% e nxënësve përfitues marrin bursë të plotë dhe pjesa tjetër bursë të pjesshme.

Këtë vit Ministria e Arsimit ka nisur fushatën “Zgjidh Zanatin” në të gjithë shkollat e vendit me prindër, nxënës dhe mësues, për orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional, si çelës i suksesit për punësimin e sigurt.