TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti i Partisë Demokratike, Sajmir Korreshi deklaroi se kishte propozuar brenda grupit që të bllokohet Kuvendi dhe të shkohet deri në grevë, nëse mazhoranca nuk i heq imunitetin zv/kryeministres Belinda Balluku apo nëse vijon ta zvarrisë këtë çështje më tej.
Ai e cilësoi skandaloze dhe dramatike procesin e tejzgjatjes nga Kuvendi me pretendimin e pritjes së Kushtetueses për të shqyrtuar kërkesën e SPAK në Këshillin e Mandateve për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila është e pandehur, e akuzuar dhe nën masë sigurie nga GJKKO për tenderin e Llogarasë dhe Unazës së Madhe.
Ai nënvizoi se nëse imuniteti nuk hiqet, atëherë jo vetëm kalohet vija e kuqe dhe parlamentarizmi vdes, por mazhoranca dhe Rama sfidojnë drejtësinë hapur dhe motivojnë më shumë ministrat për të vjedhur nëpërmjet kartonëve dhe detyrës.
“Nuk e kuptoj pse nuk mblidhet Këshilli i Mandateve, sepse ai nuk është vendimmarrës, vetëm këshillohet dhe konstaton, nuk merr vendim. Ky këshill shikon nëse ka prova, pra nuk bën analizë apo mbrojtje politike, por vlerëson vetëm provat që vijnë nga SPAK. Dhe për mendimin tim, me atë që kam parë dhe ka dorëzuar SPAK, mendoj se ka prova që çojnë në heqjen e imunitetit të Ballukut. SPAK ka vërtetuar se procesi ndaj Ballukut nuk është politik, ndaj Kuvendi duhet të zhbllokojë procesin”, tha ai për absurditetin e moskalimit të çështjes në Kuvend.
Dhe më tej shtoi se opozita duhet të bëhet më radikale dhe e ashpër, madje ai propozon deri në grevë.
“Nëse Ballukut s’i hiqet imuniteti, vdes parlamentarizmi. Mendimi që unë kam dhënë edhe në grup, nëse s’i hiqet imuniteti, do kemi kalim të vijës së kuqe. Propozimi im ka qenë që të bllokohet Parlamenti, madje të shkohet edhe në grevë urie brenda Kuvendit. Nëse imuniteti nuk hiqet, del qartë se Rama i bën sfidë drejtësisë”, vijoi ligjvënësi opozitar.
Ai theksoi se nëse Kushtetuesja pranon ankimimin e Ramës, atëherë i jep më shumë guxim ministrave dhe qeverisë që të vjedhë dhe abuzojë, duke vënë në dukje se provat janë të qarta, ku Balluku ka intimiduar dëshmitarët sipas SPAK.
“Vjedhin dhe sfidojnë SPAK me kartonat që kanë në Kuvend dhe ky është fundit. SPAK ka sjellë prova të qarta, janë intimiduar dëshmitarë dhe u tentua prishja e provave”, u shpreh Korreshi.