AKTUALITET, 13 Dhjetor 2021, 14:27

Në Vlorë niveli i ujit arrin në një metër brenda shtëpisë, banorët: Shteti të ndërhyjë

Në Vlorë niveli i ujit arrin në një metër brenda

Dëme të shumta janë shkaktuar në banesat e banorëve, të cilët jetojnë pranë shtratit të Lumit Vjosa në Vlorë, i cili si pasojë e reshjeve të dendura të këtyre ditëve të fundit, ka dalë tërësisht jashtë shtratit, duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Banorët shprehen se dëmet janë të konsiderueshme, duke nxjerrë jashtë përdorimit të gjitha orenditë e shtëpive. Ata bëjnë thirrje që shteti t’i ndihmojë duke i dëmshpërblyer për shtëpitë që pothuajse kanë dalë jashtë funksionit.

Banorët thonë se vitet e tjera niveli i ujit ka shkuar në 10 centimetër kurse këtë vit niveli i ujit që ka hyrë në banesë ka qenë një metër.

'Ne na morën në telefon u larguam nga banesa. Tani siç e shikoni dëmet janë të mëdha nuk ka ngelur asgjë, drita nuk kemi për shkak se uji e ka prishur sistemin elektrik të banesës.

Kemi dëme të mëdha nuk na ka ngelur asgjë. Gjithmonë jemi përmbytur por jo si këtë herë. Ne nuk jemi të përfshirë në argjinaturë, vitet e tjera niveli i përmbytjeve ka qenë 10 centimetra kurse tani është niveli mbi një metër.

Nuk ka ardhur asnjë për verifikim. Institucionet nuk vijnë askush. Herët e tjera jemi shpërblyer, të shikojmë tani. Nuk jemi të përfshirë në argjinaturë jemi jashtë projektit, niveli i Vjosës mund të ngrihet më lart.

I bëjmë thirrje shtetit të bëjë diçka për ne. Kështu nuk mund të jetosh dot, dëmet janë shumë të mëdha', tha banori i zonës për Fax News.