AKTUALITET, 18 Nëntor 2022, 09:45

“Ne thomi të shkojsh për ma nalt or burrë…,”/ U rrah dje, kush ishte ish-shefi i komisariatit që u kap në përgjime për vjedhjen e votave në Dibër

“Ne thomi të shkojsh për ma nalt or burrë…,”/
Robert Aga

Dy persona janë vënë nën hetim nga policia pasi akuzohen se dhunuan ish-shefin e Komisariatit në Dibër, Robert Aga. Policia tha se janë proceduar në gjendje të lirë B.A., 30 vjeç dhe R.M., 40 vjeç, banues në Dibër. 

Robert Aga doli në përgjimet e dosjes 184 për blerjen e zgjedhjeve të parakohshme vendore në Dibër dhe ai si shef komisariati në atë kohë përmendej disa herë si ndihmues i socialistëve dhe kandidatit të tyre dhe përgëzohej prej deputetëve të PS-së për shërbimin. Ai madje doli në biseda telefonike me drejtues të lartë të socialistëve, përshirë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe deputetin e PS, Xhemal Qefalia. Ministri aktual i Drejtësisë, Ulsi Manja dëgjohet gjithashtu t’i premtojë në bisedë Agës se do e ndihmonin të rritej në karrierë, edhe pse Aga kërkonte vetëm të transferohej në Bulqizë. “Ne thomi të shkojsh për ma nalt or burrë…,” citohet Manja në vendimin e gjykatës.

Aga u emërua më pas shef i Qarkullimit Rrugor në Kukës, por nuk u hetua. Në 18 janar 2020 ai u pezullua nga detyra, pasi vëllai i tij, Pajtim Aga, u arrestua për trafik droge. Uniformat blu zhvilluan një operacion anti-drogë të koduar “Trazit” të shtrirë në 5 qytete, ku krahas 51-vjeçarit Aga, u vunë në pranga edhe 6 persona të tjerë. Sipas policisë të arrestuarit trafikonin kanabis në formë çokollate nga Greqia në Shqipëri. Me statusin e një biznesmeni dhe jo të një trafikanti, i vëllai njihej në Dibër edhe si pronar i një televizioni kabllor që shpërndante sinjal të disa stacioneve në vendlindje. Edhe në shtator 2016, Pajtim Aga, ishte arrestuar nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë.