AKTUALITET, 7 Shtator 2022, 13:43

Ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit/ Alibeaj: Makiazhi i radhës për të mbuluar dështimin e Qeverisë në përballje me krimin

Ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit/ Alibeaj:

Pas zyrtarizmit me vendim qeverie të drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, ku në vend të Gledis Nanos është caktuar Muhamet Rrumullaku, vjen një reagim nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Ky i fundit përmes një mesazhi në “Facebook” thekson se ndryshimet ne kupolën e Policisë janë thjesht makiazhi i radhës për të mbuluar dështimet.

“Ndryshimet ne kupolën e Policisë së Shtetit janë thjesht makiazhi i radhës për të mbuluar dështimin e plotë të kësaj qeverie në përballje me krimin e organizuar.

Kriminaliteti në shifra alarmante, lidhjet tashmë të faktuara të segmenteve të Policisë me bandat dhe implikimi i këtyre të fundit në procesin elektoral të 25 prillit është dëshmi e qartë se Edi Rama dhe qeveria e tij e kanë të pamundur të përballen dhe aq më tepër të luftojnë me krimin.

Lëvizjet e sotme në strukturën e Policisë si pjesë e riciklimit të figurave të vjetra qartas nuk mund të ndihmojnë në rikthimin e normalitetit të sigurisë në vend.

Që mbi të gjitha është pjesë e vullnetit të munguar politik të kryeministrit dhe e hallkave që pengojnë luftën ndaj krimit dhe rikthimit të besimit të qytetarëve tek qetësia dhe rendi publik.”, shkruan Alibeaj.