AKTUALITET, 5 Maj 2026, 20:18

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet

Servet Pëllumbi, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Servet Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë.

Ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, njihej si një prej figurave, që ka luajtur rol kryesor në zhvillimet politike të vendit që prej fillimeve të tranzicionit. Rrugëtimi i tij nisi në Korçë, ku lindi në vitin 1936, për të vazhduar më tej me studimet e larta dhe një karrierë të gjatë si profesor i filozofisë, fushë në të cilën kontribuoi me dhjetëra botime dhe studime shkencore.

Pas viteve '90, ai u bë një nga kolonat kryesore të reformimit të së majtës shqiptare, duke luajtur një rol vendimtar në transformimin e Partisë Socialiste dhe në orientimin e saj drejt vlerave demokratike evropiane. Kulmi i angazhimit të tij institucional ishte drejtimi i Kuvendit të Shqipërisë gjatë viteve 2002–2005.

Gjatë kësaj periudhe, ai u shqua për një stil udhëheqjeje që bazohej te konsensusi dhe maturia, duke u respektuar si nga aleatët ashtu edhe nga kundërshtarët politikë për aftësinë e tij për të ruajtur etikën parlamentare edhe në momentet më të tensionuara. Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e shtetit ligjor dhe kulturës politike, ai u nderua me dekoratën e lartë "Nderi i Kombit".